Qytetarët do të paguajnë një tarifë fikse për të kaluar në Tunelin e Llogarasë.
Gjatë prezantimit të hapjes së tenderit ndërkombëtar, të premten, 19 qershor, ministria Balluku njoftoi se:
“Ky do të jetë një tunel që pas ndërtimit do të kërkojë mbështetje financiare edhe nga përdoruesit duke aplikuar tarifë minimale. Kjo do të ndihmojë të paguajë sasinë e parave që do të vendosen për ndërtimin e tunelit.”
Qeveria njoftoi të premten hapjen e garës ndërkombëtare për hartimin e projektin inxhinierik të Tunelit të Llogarasë.
Projekti i ndërtimit të Tunelit të Llogarasë do të financohet nga qeveria.
Ndërsa ndërtimi i tunelit do të jetë faza e dytë dhe sipas Ramës, do të ndërtohet ‘nga kompani vendase që kanë eksperiencën për ndërtimin e veprave komplekse’.
Tuneli 6 kilometra i gjatë pritet që të shkurtojë aksin Orikum – Palasë në vetëm 10 minuta rrugë.
Kryeministri theksoi se ndërtimi i tunelit pritet të ketë efekt pozitiv tek turizmi, pasi do të jetë shumë afër dhe me aeroportin e Vlorës.
Deri më sot vetëm kalimi në Rrugën e Kombit është me pagesë. Qeveria në maj të 2019, lajmëroi hapjen e garës për dhënien me koncesion të autostradës Tiranë-Durrës, ku më pas qytetarët do duhet të paguajnë një tarifë për të kaluar, por deri më tani duket sikur ky plan është harruar.