Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka theksuar sot do të vazhdohet përpara me ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar sepse sipas tij vendi nuk mund të mbahet peng.
Teksa e cilësoi godinën e re si të denjë për kryeqytetin dhe të vjetrën si jashtë përdorimit, Veliaj theksoi se axhenda e opozitës nuk mund të njehsohet me atë të qytetit, pasi ajo nuk do të fitojë zgjedhjet, e madje këtë sipas tij e thonë edhe sondazhet.
“Ka nga ata që thonë: Nuk do bëhet ky teatër, deri sa të fitojmë ne dhe partia jonë. Lind pyetja: Po nëse partia juaj nuk fiton edhe kësaj here, siç po thonë sondazhet? Po nëse nuk fiton as herën tjetër?! Po nëse nuk fiton në të ardhmen e afërt dhe të largët, do ta mbajmë peng vendin? S’besoj! Vendi duhet të ecë përpara dhe kjo është arsyeja pse askush nuk duhet t’i përputhë axhendat e qytetit me axhendat e dështuara politike”, tha Veliaj gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit Bashkiak për këtë vit ku u votua edhe buxheti për vitin 2021.
Kryebashkiaku nënvizoi se fokusi kryesor në vitin e ardhshëm do të jetë strehimi i familjeve të reja në Tiranë dhe atyre që u prekën nga tërmeti i 26 Nëntorit.
Këshlli Bashkiak, gjithashtu, miratoi gjatë mbledhjes së sotme 850 kredi të buta për 850 familje të reja në Tiranë.