Më 8 shkurt u kap në Itali një kamion me tetë ton marijuanë. Udhëtimi i kamionit ishte Maqedoni-Shqipëri-Itali dhe në fund në Belgjikë.
Prokukoria e Krimeve të Rënda ka zbardhur mënyrën si kamioni ka kaluar me 8 ton drogë pa u zbuluar në dy pika kufitare të rëndësishme, Qafë Thanë dhe Durrës.
Të gjitha institucionet ligjzbatuese të vendit kanë deështuar. Më poshtë po rendisim disa nga këto institucione që me veprimet apo mosveprimet e tyre mundësuan kalimin e drogës mes për mes vendit.
Policia kufitare në Qafë-Thanë, Pogradec — Kamioni i cili drejtohej nga një maqedonas, hyri në Shqipëri më 4 shkurt në Qafë-Thanë. Policët kufitar janë mjaftuar vetëm me kontrollin e dokumentacionit duke e lejuar të udhëtojë drejt Italisë, tranzit nëpër Shqipëri. Nuk dihet nëse kamioni ishte i ngarkuar me drogë në Maqedoni apo ishte bosh dhe u ngarkua në Shqipëri.
Dogana në Qafë-Thanë — As inspektorët doganorë të Qafë-Thanës nuk kanë zbuluar drogën, nëse kamioni ka qënë i ngarkuar me drogë që në Maqedoni.
Sistemi TIMS — Kamioni dhe shoferi nuk u regjistruan në sistemin TIMS në hyrje në Shqipëri.
Policia e Shtetit — Kamioni me drogë ka përshkruar aindra kilometra nga Qafë-Thana në Durrës ose është ngarkuar diku në Shqipëri pa u pikasur nga policia e shtetit.
Dogana në Portin e Durrës — Kamioni nuk iu nënshtrua kontrollit me skaner. Inspektorët doganorë kanë kontrolluar vetëm dokumentacionin dhe e ka lënë të lirë kamionin. Dogana e Durrësit ka shkelur kështu vendimin e qeverisë për të skanuar të gjitha ngarkesat që hyjnë e dalin nga territori i vendit, në mënyrë që të ndalohet trafikimi i drogës.
Policia kufitare në Portin e Durrësit — As policia kufitare e Durrësit nuk ka parë asgjë të dyshimtë dhe ka lejuar daljen e komionit nga territori i vendit.
Këto institucione ose kanë dështuar të gjitha njëkohësisht ose janë të kapura nga krimi të gjitha. Ajo që është me flagrante është dështimi apo kapja e kompanisë amerikane Rapiscan e cila ka koncesionin e skanimit në dogana.