Kancelarja gjermane Angela Merkel do të vizitojë Shqipërinë më 14 shtator.
Gjatë vizitës së saj Merkel pritet të zhvillojë në Tiranë një takim me liderët e Ballkanit Perëndimor në kuadër të procesit të Berlinit.
Hera e fundit që Merkel ishte në Tiranë ishte në një vizitë zyrtare në vitin 2015.
Ardhja e kancelares gjermane vjen në një kohë kur Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë vendosur të thellojnë bashkëpunimin e tyre përmes nismës së Ballkanit të Hapur. Por kjo nismë është kundërshtuar nga Kosova, Bosnja Hercegovina dhe Mali i Zi.
Në një përgjigje për Deuthche Welle disa javë më parë, qeveria gjermane kërkoi që vendet e Ballkanit Perëndimor të firmosin më 6 tetor krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal mes tyre por shmangu referimin direkt ndaj “Open Balkans”
Tregu i Përbashkët Rajonal është një iniciativë në kuadër të Procesit të Berlinit që synon krijimin e një zone rajonale për tregtinë, investimet, digjitalizimin, industrinë dhe inovacionin. Rezultati i tij i parë ishte heqja e tarifave të roaming-ut në Ballkanin Perëndimor, duke filluar nga korriku 2021.
Procesi i Berlinit, një iniciativë e kancelares Merkel, filloi në 2014 si një platformë për të siguruar integrim më të lartë brenda Ballkanit Perëndimor, pasi vetë zgjerimi i BE kishte ngecur. Qëllimi i tij ishte të mbante vendet e Ballkanit Perëndimor në gjirin e BE-së, të sigurohej zbatimi relativ i reformave dhe të mbaheshin kontakte të nivelit të lartë midis Ballkanit Perëndimor dhe udhëheqësve të BE-së.