
Policia ka gjetur dhe sekuestruar 6.5 kilogramë kokainë në një kontejner të kompanisë “Alba Exotic Fruit” në Portin e Durrësit.
Droga është gjetur pasi janë kontrolluar 10 kontejnerë të kësaj kompanie e cila importon banane nga Amerika Latine.
Sipas policisë, kontrolli i zhvilluar të premten është vazhdim i operacionit të nisur më 13 korrik, kur po në konteinerin e kësaj kompanie u gjetën rreth 12 kg kokainë.
Gjykata e Durrësit ka lënë në burg administratorin e kompanisë Alba Exotic Fruit, Bajron Gumeni, i cili është edhe pronar me 10% i kompanisë.
Pronari i kompanisë, Eduart Dauti, është shpallur në kërkim nga Policia. Nga arratia ai ka akuzuar autoritetet portuale të Pireut dhe Durrësit për përfshirje në trafikun e drogës.
Kompania “Alba Exotic Fruit”, ka qënë e përfshirë edhe në transportin e 137 kilogramëve kokainë, të kapur në Portin e Pireut në 2019.