Mbi 300 kilogramë kokainë të fshehura në një kamion mallrash janë kapur pasditen e sotme në portin e Durrësit.
Policia dhe autoritetet doganore në Durrës kanë zbuluar lëndën e fshehur në serbatorin dhe kabinën e një kamioni që vinte nga Maqedonia e Veriut.
Lënda narkotike u gjet gjatë kontrollit në skanerët e doganës.
Sipas burimeve të Report Tv, kamioni ishte nisur nga Belgjika dhe kishte hyrë në Maqedoninë e Veriut përmes Serbisë. Nga Maqedonia e Veriut, kamioni ka hyrë në Shqipëri përmes pikës së Qafë Thanës dhe është drejtuar në portin e Durrësit. Destinacioni i tij përfundimtar ishte Napoli në Itali.
Deri tani është arrestuar vetëm shoferi i kamionit, një 40-vjeçar nga Maqedonia e Veriut, i cili ka mohuar të ketë dijeni për kokainën.
Sasia e konsiderueshme e drogës ishte e ndarë në pako të vogla të cilave iu janë stampuar logo të firmave të ndryshme.
Një prej firmave është e një uiski brazilian, e njejta që ishte stampuar në pakot e kokainës që u kap 1 muaj më parë në Kosovë.
Më 17 maj në një magazinë në Lipjan të Kosovës u kapën 400 kg kokainë me origjinë nga Amerika Latine. Ngarkesa ishte futur në Kosovë nga Shqipëria përmes portit të Durrësit.
Rreth dy muaj më parë (10 prill) një ngarkesë 143 kg kokainë që vinte nga Ekuadori u kap në portin e Durrësit ndërsa në 1 prill në të njejtin port policia kapi 49 kg kokainë në një konteiner që vinte nga Amerika Latine.