Komisioni i Ankimimeve në KQZ rrëzoi kërkesën e PD-së dhe LSI-së për përsëritje të zgjedhjeve në qarkun e Vlorës. Në mbledhjen e sotme, 20 maj, KAS u shpreh se kundër këtij vendimi partitë mund të ankohen në Kolegjin Zgjedhor në Gjykaten Administrative të Apelit.
Provat e paraqitura nga PD ishin se 23 zgjedhës në Qarkun e Vlorës kanë vendosur shenjat e gishtave të tyre për të identifikuar 60 votues.
“Në foton e parë me nr.rendor 7 rezulton se e njëjta shenjë gishti është përdorur për identifikimin e dy zgjedhësve në dy qarqe të ndryshme: njëri në bashkinë Vlorë dhe tjetri në bashkinë Ura Vajgurore, Berat.
Në foton e dytë me nr.rendor 19 rezulton se i njëjti person ka votuar dy herë, një herë në bashkinë Konispol, dhe herën tjetër në bashkinë Sarandë. Po në këtë foto me nr.rendor 21, rezulton se e njëjta shenjë gishti është përdorur për identifikimin e 12 zgjedhësve, pra potencialisht i njëjti person ka votuar 12 herë”, u shpreh përfaqësuesi i PD-së në KAS, në mbledhjen e mëngjesit.