KE publikon raportin për vizat: Krimi shqiptar shumë i lartë në BE

KE publikon raportin për vizat: Krimi shqiptar shumë i lartë në BE

Komisioni Europian ka publikuar dje raportin e saj për Mekanizmin e Pezullimit të Vizave, i cili u lejon qytetarëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor të udhëtojnë në zonën Shengen pa vizë. Disa shtete të BE-së, duke përfshirë edhe Hollandën, kanë deklaruar se do të bazojnë çdo vendim mbi rivendosjen e mundshme të regjimit të vizave bazuar në këtë raport.

Raporti tregon një rënie prej 28 për qind të emigracionit të paligjshëm shqiptar nga gjysma e dytë e 2016 deri në gjysmën e parë të vitit 2017 dhe rritje të refuzimit të hyrjes  në shtetet e zonës Shengen me 91 për qind për periudhën nga mesi i vitit 2015 deri në vitin 2016.

Po ashtu vihet re një rënie prej 54 për qind e kërkesave për azil në të njejtën periudhë dhe e qëndrimit të paligjshëm me 30 për qind.

Pavarësisht këtyre shifrave, raporti thekson se “numri i kërkesave për azil nga shtetasit shqiptarë në BE është absolutisht më i larti krahasuar me çdo vend tjetër që udhëton pa viza”.

Megjithatë, raporti i BE-së konkludon se “në përgjithësi, standardet e liberalizimit të vizave vazhdojnë të përmbushen. Përmirësimi i mëtejshëm i zbatimit pritet të adresojë sfidat e migracionit të parregullt”.

Raporti konfirmon gjithashtu rritjen e raportuar gjerësisht të grupeve kriminale shqiptare anembanë BE-së, duke kundërshtuar pretendimet e kryeministrit Edi Rama se nuk ekzoston një gjë e tillë si “krimi shqiptar”:

“Grupet e krimit të organizuar shqiptar janë veçanërisht aktive në një gamë të gjerë veprimtarish kriminale në BE. Këto grupe zakonisht janë poli-kriminale dhe angazhohen në trafikun e drogës, sidomos të kanabisit, kokainës dhe heroinës, kontrabandës së emigrantëve dhe trafikimit të qenieve njerëzore; krimit të organizuar, shantazheve dhe zhvatjeve.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>