BE duhet të jetë në gjendje që, në të njëjtën kohë, të pranojë antarë të rinj dhe të reformohet ndërkohë që vendet kandidate nuk duhet të ndahen, por të vazhdojnë me reformat dhe luftën ndaj krimit të organizuar. Kështu është shprehur në një intervistë për European Western Balkans (EWB), kryetari i delegacionit të Parlamentit Evropian në Komitetin e Stabilizim Asoccimit BE-Shqipëri, Manolis Kefalogiannis.
Sipas Zotit Kefalogiannis qëndrimi i Presidentit francez Macron për të bllokuar zgjerimin e BE-së dhe reformuar procesin “mund të ketë ardhur nga Brexit”. Sidoqoftë kryetari i delegacionit të PE ka thënë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut “nuk duhet të zhgënjehen” por “të vijojnë përpjekjet për të përfunduar reformat pa braktisur orientimin drejt Evropës” pasi “vendimi për fillimin e bisedimeve për anëtarësim është shtyrë për majin e vitit 2020”.
Në intervistën me EWB Zoti Kefalogiannis thotë se futja e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE “do të kontribuonte në stabilitetin dhe paqen në Ballkan”. Ai thotë se “Greqia ka pranuar gjithmonë që në kushte të caktuara BE të nisë procesin e negociatave”. Për këtë pjesë Zoti Kefalogiannis thekson “respektimin e të drejtave të pakicave” apo dhe “respektimit të pronës”, por që përpara mbeten edhe çështje si përcaktimi i zonës ekskluzive ekonomike mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Shqipëria, sipas Kefalogiannis duhet të përmirësojë sistemin ligjor, transparencën dhe luftën kundër krimit të organizuar, sepse këto çështje “janë jetike për jetën e përditshme të qytetarëve”.
Zoti Kefalogiannis këmbënguli se ishte kundër ndarjes së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nga procesi i integrimit. Ai tha se “çdo ndarje do të dërgonte mesazh të gabuar” dhe “do të krijonte më shumë probleme për t’u zgjidhur” si për shembull zgjimin e “diskurseve antieuropiane”.
Sipas kryetarit të delegacionit të PE Shqipëria duhet të përfundojë reformën në drejtësi dhe të vazhdojë luftën ndaj krimit:
“Përfundimi i reformës në sistemin gjyqësor është një kërkesë themelore e qytetarëve. Është gjithashtu një parakusht për të rifituar besimin në sundimin e ligjit, në institucionet publike dhe politikanët. Ndërkohë, masa dhe veprime të fuqishme janë të nevojshme për të shkatërruar rrjetet kriminale të përfshira në veprimtari të paligjshme”.
Për çështjen e reformimit të procesit të integrimit dhe së ardhmes në BE Zotit Kefalogiannis tha:
“BE duhet të marrë vendim, jo se sa vende do të hyjnë dhe as se si do të ndryshojnë proceset e pranimit në tërësi. BE duhet në të njëjtën kohë të jetë në gjendje të pranojë vende të reja, dhe të reformohet […] që do të thotë që Europa ka një zë, një vendim, një politikë të përbashkët në çdo fushë: në politikë, në ekonomi, në punët e jashtme, në çështje të sigurisë dhe terrorizmit, në mbrojtjen e kufijve europian”.
Në muajin tetor vendet anëtare të BE-së nuk ranë dakord për të hapur negociatat. Pas këtij qëndrimi Presidenti i PE David Sassoli vendosi të vizitojë Shqipërinë më 2-3 dhjetor. Vizita u njoftua pasi PE miratoi një rezolutë ku i kërkoi BE-së të marrë përgjegjësitë për procesin dhe të nisë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Mungesa e dakordësisë mes vendeve anëtare u mbrojt nga qendrimi i Presidentit francez Macron se procesi i negociatave nuk garantonte marrëdhënie të drejtë dhe nga ana tjetër zhvillimet e reformave, sidmos në Shqipëri, nuk ishin bindëse.