Kënga e revoltës ndaj Bentlave e duetit Rama-Veliaj është këngë sirenash

Nga Neritan Sejamini
Kënga e revoltës ndaj Bentlave e duetit Rama-Veliaj është këngë sirenash

Fillimisht, qe Kryeministri Rama ai që u predikoi me ironi njerëzve të  biznesit të shesin vilat e makinat luksoze për të paguar rrogat e punonjësve.

Pastaj, kryebashkiaku Veliaj tregoi zell edhe më të madh: “Shit makinën! Ndihmat janë për punëtorët që të bënë të pasur!”

Teoria se është puna e punëtorëve ajo që krijon vlerën e produktit, e cila pastaj përvetësohet padrejtësisht nga kapitalisti, është thelbi i teorisë ekonomike marksiste—një teori e cila tashmë është diskredituar plotësisht, në teori dhe praktikë.

Por, Veliaj dhe Rama nuk po e predikojnë atë nga ndonjë frymëzim intelektual, aq më pak marksist, pasi ata nuk kanë formim ideologjik.

Qëllimi i tyre është pragmatik dhe propagandistik: ndërsa qindra mijëra shqiptarë po varfërohen nga kriza, Rama dhe Veliaj duan të identifikohen me ta dhe vuajtjet e tyre, dhe të distancohen sa më shumë, të paktën në dukje, nga një grup biznesmenësh të perceptuar gjerësisht si të pasuruar për shkak të lidhjeve me pushtetin.

Në një ekonomi të tregut të lirë për t’u pasuruar duhet të ofrosh një mall apo shërbim që njerëzit me vullnet të lirë e shkëmbejnë me paratë e tyre, sepse ky shkëmbim, pra blerja, përmirëson mirëqenien e tyre.

Ky është thelbi i kapitalizmit: shkëmbimi i lirë, me vullnet të lirë, që përmirëson të dyja palët në shkëmbim.

Nëse një shkëmbim nuk e përmirëson gjendjen e tyre, njerëzit nuk zgjedhin ta kryejnë atë me vullnetin e tyre.

As Apple dhe as Samsung nuk na detyron me forcë të blejmë një telefon celular, nëse pas blerjes nuk ndjehemi më mirë se më parë, edhe pse nuk harrojmë të ankohemi për shtrenjtësinë e tij.

Një celular, sidomos një markë e njohur, është produkt i shtrenjtë, por, prapë, miliarda njerëz, të varfër e të pasur, heqin dorë nga qindra e mijëra dollarë për një të tillë.

Arsyeja është e thjeshtë: ata janë më mirë me një celular në dorë se sa me paratë e pashpenzuara të celularit në xhep apo në bankë.

Celularët kanë përmirësuar jetën e njerëzve: kanë ulur koston dhe kanë forcuar marrëdhëniet njerëzore, biznesin, demokracinë, median, arsimin, shëndetësinë, etj.

Duke përmirësuar jetën e njerëzve, celularët kanë pasuruar pronarët e kompanive që i prodhojnë ato.

Në një ekonomi të lirë, nëse dikush është pasuruar, do të thotë se ai ka ofruar një të mirë, mall apo shërbim, e cila ka përmirësuar mirëqenien e shumë njerëzve.

Sepse, në një ekonomi të tregut të lirë, e vetmja mënyrë për të bërë para është t’u ofrosh njerëzve diçka për të cilën ata janë gati të heqin dorë nga këto para.

Por në një treg të lirë ka shumë të tjerë që duan t’u shesin njerëzve produkte të ngjashme, ndaj që t’u shesësh njerëzve duhet të përpiqesh vazhdimisht që produkti yt të jetë për ta më i mirë ose më i lirë se ai i të tjerëve, ndërkohë që edhe të tjerët mundohen të bëjnë të njëjtën gjë.

Biznesmenët rendin çdo ditë drejt punëve të tyre jo për t’u pasuruar, jo për të rritur fitimet, por, para së gjithash, për të mos humbur, për të mos dalë nga tregu, për të mos falimentuar, duke e ditur se shumë të tjerë përpiqen t’u ofrojnë klientëve të tyre produkte më të mira dhe më të lira se të tyret.

Në një ekonomi të lirë tregu nuk ka rëndësi sa i madh je, sa shumë shet, sa para ke: nëse nuk përmirëson vazhdimisht produktin, nëse nuk ul vazhdimisht kostot, nëse nuk kënaq vazhdimisht shijet gjithnjë në ndryshim të klientëve, je i destinuar të shkatërrohesh.

Magjia e konkurencës së lirë nuk është se nxjerr në krye gjithmonë më të mirët, por sepse përgjithësisht eleminon, shkatërron më të keqinjtë. Tregu i lirë përzë më pak produktivët, më të prapambeturit, duke favorizuar të renë që çon në përparim dhe zhvillim përmes “shkatërrimit ndërtues”.

Kështu u shkatërruan Nokia, Blackberry, Yahoo, apo MySpace—deri një dekadë më parë pionerët dhe sunduesit botërorë në sektorët e tyre—sepse mbetën mbrapa dhe nuk përmirësuan dot shpejt produktet e tyre, çfarë e bënë Iphone, Samsung, Google e Facebook që sot kanë zënë vendin e tyre.

Çdo biznes i suksesshëm ka fituar në një betejë të pamëshirshme për të marrë miratimin e konsumatorëve egoistë që nuk kanë asnjë interes tjetër veç mirëqenies së tyre.

Në një ekonomi të lirë tregu, Bentlat dhe Mercedesat, që sulmon Rama dhe Veliaj, nuk janë rezultat i shfrytëzimit të punëtorëve, por i mundit, talentit dhe kurajës për të rrezikuar të sipërmarrësve që përmirësojnë jetën e të tjerëve me produktet e tyre.

Bentli është trofeu i dukshëm (dhe ndoshta vanitoz) i suksesit për t’u dhënë njerëzve atë që duan duke përmirësuar jetët e tyre.

Nëse të pasurve u hiqet mundësia të gëzojnë frutet e këtij suksesi, qoftë edhe trofejtë luksozë e vanitozë, ata do kenë më pak nxitje për të punuar, zhvilluar e përmirësuar produktet. Kjo do të ishte e keqe jo vetëm për ta, por të gjithë njerëzit.

Natyrisht, në një ekonomi të tregut të lirë.

Në një ekonomi ku nuk ka treg të lirë, ka një tjetër mënyrë për t’u bërë me Bentli: eleminimit të konkurentëve me metoda jokonkuruese.

Në ekonominë e krimit, konkurentët eleminohen me armë; në shoqëritë e korruptuara konkurentët eleminohen me anë të qeverisë.

Në këto shoqëri suksesin e biznesit nuk e vendos tregu, por qeveria—ndaj sipërmarrësit braktisin përpjekjet për të përmirësuar produktet e tyre, për të investuar në kultivimin e marrëdhënieve me qeveritarët, nga financimi i karrierave dhe fushatave politike tek mbushja e llogarive të tyre private.

Për shembull, një ndërtues i dhuron kryetarit të bashkisë një vilë luksoze, me vlerë qindra mijëra euro, në një kompleks ekskluziv banimi, dhe si shpërblim merr prej tij, pa konkurencë, një kontratë publike për të asfaltuar rrugët e qytetit, me çmim disa herë më të lartë se i tregut, dhe pastaj e ndërton rrugën jashtë çdo standardi duke përvetësuar fondet.

Ndërtuesi nuk merr asnjë rrezik, nuk investon asgjë dhe fiton shumë.

Bentli që ai ble pastaj, me paratë e fituara nga kontrata, është trofe i shkatërrimit të konkurencës duke përdorur shtetin dhe jo trofe i punës, talentit dhe marrjes së rrezikut prej tij.

Këtë biznesmen e bëjnë të pasur vërtet punëtorët, por jo punëtorët e tij, por ata të gjithë Shqipërisë, taksat e të cilëve financojnë vilën e politikanit dhe Bentlin e biznesmenit, ndërsa vetë punëtorëve u mbeten gropat në rrugë dhe në financat publike.

Ky është problemi themelor i Shqipërisë së sotme, korrupsioni që ka arritur nivelin e tij më të lartë teorik dhe praktik: kapjen totale të shtetit nga një grusht njerëz të biznesit, medias dhe krimit.

Rezultati i kësaj kapjeje është shkatërrimi i demokracisë dhe tregut të lirë, dhe vendosja e sundimit të një karteli të vogël politikanësh e biznesmenësh mbi qeverisjen dhe ekonominë.

Format e emrat e këtij përçudnimi të kapitalizmit janë të shumëllojshme si markat e makinave luksoze: ‘kapitalizmi i miqve’, ‘kapitalizmi klientelist’, ‘kapitalizmi korporatist’ ‘kapitalizmi rentier’ ‘kapitalizmi grabitqar’, ‘kapitalizmi parazitar’.

Thelbi është gjithmonë i njëjtë: suksesi në treg nuk përcaktohet nga marrja e rreziqeve dhe konkurenca, por nga lidhjet me politikën.

Rama dhe Veliaj nuk duan të prekin këtë model—ata janë vetë pjesë e rëndësishme e kartelit që sundon politikën dhe ekonominë.

Ata duan të fshehin ekzistencën e kartelit, në një kohë kur populli po bëhet më i vetëdijshëm për varfërinë e tij dhe mund të rrezikojë sundimin e kartelit.

Prandaj kënga e revoltës së Ramës dhe Veliajt ndaj Bentlave është thjesht një këngë sirenash që kërkojnë të joshin njerëzit për t’i mbajtur ata të nënshtruar dhe të varfër.

4 komente

  1. Lenini me Iphone dhe bluze CheGuevara 19 Prill, 2020 në 6:25 pm

    Ja i nxoren në shitje makinat e shtrenjta, kush do ua blejë në këtë kohë reçensioni? Bandat? Politikanet? Dhe me çfare vlere?
    Rrogat e 1 muaji të një fabrike ose fasonerie kushtojnë më shumë se bentli ose ferrari i tyre. Duhet të shesin disa syresh të mbulojne shpenzimet dhe të mbajnë gjallë biznesin vetëm për 1 muaj. Po ku merr vesh gjimnazisti i liceut dhe sorosisti i bashkisë me diplomë fallco nga ekonomia e financa.

    Mos u lodh kot të shpjegosh tregun e lirë dhe kapitalizmin, dhe sa të rëndësishme janë ato për mirëqënien dhe demokracinë. Për shkak të arsimimit të dobët dhe propagandës boshe që janë bombarduar prej vitesh pjesa dërrmuese e njerëzëve as do të kuptojne dot dhe do fillojnë të të japin dhe mend se sa të poshtër janë ato që kan pasuri dhe se sa njerez të mire janë ato që janë te varfër.

    Gamori i gjatë dhe Shushu-ja kërkojnë të shfrytëzojnë natyrën njerëzore, militantizmin partiak, etj. E dinë shumë mirë që një pjesë e mirë popullit proletar do gëzohej shumë edhe sikur t’u bllokoheshin kot ato makinat, ska rendësi se për çfare arsye, edhe mos t’u sjellin asgjë të mirë, vetëm t’u bllokohen, t’u bëhet diçka e keqe. Mjafton të shohësh, dëgjosh indiferencën dhe përkrahjen që u bëjnë qeverisë kur ajo sulmon dhe burgos ato që nuk paguajne dot dritat, fatkeqet që do u prishen shtëpitë, justifikimet kur ajo mbyll nje sy per krimin etj.
    Madje gëzohen kur u jep leje për të dalë, a thu se ka të drejte e vije logjike/shkencore për me vendosë se kush del nga shtëpia e kush jo.
    Fatkeqësisht në këtë gjëndje është një pjesë jo e vogël e popullit tonë edhe pse kanë kaluar 30 vjet nga murtaja komuniste.

    Por siç thuhet dhe në artikull, është e gjitha një fushate propagandistike por t’ua hedhur fajin të tjerëve, siç ka ndodhur rëndom këto 7 vjet në qeveri dhe 23 vjet karrierë në politikë. Në Shqipëri nuk ka treg të lirë dhe as konkurencë të ndershme, asnjë nga miliarderët e sotëm shqiptar nuk do ishin të tillë pa mbeshtetje politike, dhe ndoshta pa u pastruar ca para atyre. Ato bentlat i kane shokët e vetë politikanë e biznesmenë, banditët qe u kane siguruar votat dhe sigurisht që as kane për t’ju bllokuar por vetëm do ju shtohen falë tenderave me çmime skandaloze dhe mbulimit të krimit që u bëhet bandave.

    Kjo është një nga tentativat e shumta propagandistike që të kenaqen me lugë boshe të papunët e shumtë që do dalin nga kjo krize. Dhe ato që do e pranojne këtë luge, do ngelen të mjerë si nga ana financiare dhe shpirtërore.

    • Mbikqyresi 20 Prill, 2020 në 8:17 pm

      Edhe shkrimi super real, por dhe analiza dhe komenti i fundit eshte e verteta qe vret. Deri ku do te vazhdojme te ecim keshtu. Keqardhje per brezat e rinj qe nuk po behet protagonist dhe te main fatet e vendit ne dorë. Po u vazhdua kështu, Shqipëria do të jetë drejt humbjes si popull. E trishtë dhe therëse.

  2. Mbikqyrësi 20 Prill, 2020 në 8:20 pm

    Edhe shkrimi super real, por dhe analiza dhe komenti i fundit eshte e verteta qe vret. Deri ku do te vazhdojme te ecim keshtu. Keqardhje per brezat e rinj qe nuk po behet protagonist dhe te main fatet e vendit ne dorë. Po u vazhdua kështu, Shqipëria do të jetë drejt humbjes si popull. E trishtë dhe therëse.

  3. Mbikqyrësi 20 Prill, 2020 në 8:25 pm

    Duhet të reagohet sa më shpejt, ndryshe do të humbasim në humbëtirën e kohës, dhe nuk do të ketë më mundesi për rikuperim.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme