KiE kritikon Gjeorgjinë për zgjedhjen e anëtarëve në Gjykatën e Lartë — Rast i ngjashëm me Shqipërinë

KiE kritikon Gjeorgjinë për zgjedhjen e anëtarëve në Gjykatën e Lartë — Rast i ngjashëm me Shqipërinë

Këshilli i Europës kritikoi Gjeorgjinë për vendosjen e kritereve jo të detajuara për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Kjo gjë sipas tyre cenon transparencën e procesit. Anëtarët e Gjykatës së Lartë në Gjeorgji përzgjidhen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe votohen nga parlamenti gjeorgjian. Ata kanë mandat të përjetshëm.

Raportuesit e Asamblesës së Këshillit të Europës, mbas vizitës së tyre në Gjeorgji, shprehën shqetësimin në lidhje me përzgjedhjen dhe hartimin e listave të kandidatëve për anëtarë të GJL gjeorgjiane. Sipas tyre procesi i përzgjedhjes së kandidatëve mbetej problematik për shkak të mungesës së transparencës, veprim në mënyrë të njëanshëm të KLGJ gjeorgjiane.

Raportuesit Titus Corlăţean dhe Claude Kern u shprehën se ky problem do të ishte shmangur nëse do të ndiqeshin rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Në prill të 2019 Komisioni i Venecias publikoi një raport ku rekomandonte detajimin e kritereve për përzgjedhjen e kandidatëve.

Ligji gjeorgjian përcaktonte si kriter  5 vite eksperiencë të specializuar, duke mos dhënë asnjë detaj tjetër. Komisioni u shpreh që kriteri i eksperiencës duhej të detajohej më shumë në tre drejtime; aftësia e  gjykimit, pavarësia dhe larmishmëria e punëve që ka patur kandidati.

Ligji shqiptar për përzgjedhjen e kandidatëve në GJL gjithashtu has të njëjtën problematikë. Kushtetuta parashikon se kandidati për GJL duhet të përmbushi këto kritere:

  1. të ketë vjetërsi në profesion, prej 15 vjetësh, si avokat, profesor ose lektor i së drejtës, jurist i nivelit të lartë në administratën publike ose në fusha të tjera të së drejtës;
  2. të mbajë gradë shkencore në drejtësi;
  3. të mos ketë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike, gjatë 10 vjetëve të fundit para kandidimit;

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka përcaktuar së fundmi kriteret mbi bazën e të cilave do të vlerësojë e rendisë kandidatët.

Sipas këtyre kritereve KLGJ do të vlerësojë ndër të tjera ekspertizën e veçantë dhe punën e kandidatit. Për këtë KLGJ ka miratuar metodologji vlerësimi ku përcaktohen pikat për vlerësimin e kandidatëve. Megjithatë KLGJ nuk ka detajuar mënyrën se si do të verfikohet përmbushja e këtyre pikave.

Nga ana tjetër KLGJ do të rendisi kandidatët në bazë të një sistemi pikëzimi . Sistemi i pikëzimit përcakton pikët maksimale për secilën nga kriteret e mësipërme. Por përcaktimi se sa pikë merr një kandidat për secilën kriter nuk është detajuar nga KLGJ, gjë që cenon transparencën e procesit të përzgjedhjes.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>