Kina i ka dhuruar $30 milionë Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH), një javë pasi Presidenti Trump tha se do të pezullojë fondet amerikane për OBSH-në.
Javën e kaluar, Presidenti Trump e akuzoi OBSH-në se ka mbajtur anën e qeverisë Kineze, ndaj ajo dështoi të bëjë detyrën e saj dhe t’i përgjigjet në kohë pandemisë së koronavirusit.
Ditën e enjte, gjatë njoftimit të dhurimit, qeveria kineze e mbrojti OBSH-në dhe tha se agjensia nën drejtimin e Tedros Adhanom Ghebreyesus ka kryer më së miri punën e saj. Zëdhënësi i qeverisë kineze tha se ky dhurim është për të mbrojtur idealet, principet dhe autoritetin e Kombeve të Bashkuara.
OBSH i ka kërkuar Presidentit Trump të tërhiqet nga propozimi i tij, por kjo ka pak gjasa të ndodhë.
Madje, situata pritet të ndërlikohet për OBSH-në, duke qënë se Australia ka kërkuar mbështetjen e Francës, Gjermanisë, dhe SHBA-ve për të nisur një hetim ndërkombëtar mbi kontrollin e vonuar të kryer nga OBSH-ja në Kinë.