Kina ndalon tregtinë dhe konsumin e kafshëve të egra

Nga Exit News
Kina ndalon tregtinë dhe konsumin e kafshëve të egra

Qeveria kineze lajmëroi se do të ndalojnë menjëherë tregtinë dhe konsumin e kafshëve të egra, vendim i cili, sipas saj, do t’i lejojë vendit të fitojë betejën kundër shpërthimit të koronavirusit.

Lajmi u bë publik nga Agjencia zyrtare e lajmeve Xinhua. Ky vendim vjen pas një pezullimi fillestar të tregtisë dhe konsumit të kafshëve të egra në janar.

Shkencëtarët dyshojnë, por nuk kanë provuar ende, se koronavirusi u kaloi njerëzve nga kafshët. Sëmundja ka vrarë tani gati 2700 njerëz dhe është përhapur në rreth 37 vende të tjera përveç Kinës.

Disa nga rastet e para të infektuara u gjetën te njerëzit që tregtonin në një treg të kafshëve të egra në qytetin provincial të Hubeit, në Wuhan, treg ku shiteshin lopë, gjarpërinj dhe kafshë të tjera.

“Ka një shqetësim në rritje midis njerëzve për konsumin e kafshëve të egra dhe rreziqet e fshehura që kjo sjell në sigurinë e shëndetit publik që nga shpërthimi i sëmundjes koronavirus (COVID-19)”, tha Zhang Tiewei, zëdhënësi Komisioni të Çështjeve Ligjore.

Zhang tha se ishte po aq urgjente dhe e nevojshme që vendimi të merrej tani në “momentin kritik për parandalimin dhe kontrollin e epidemisë”.

Vendimi, i marrë nga Kongresi Popullor i Kinës, parashikon që konsumi i paligjshëm dhe tregtia e kafshëve të egra do të “ndëshkohet rëndë”. Po ashtu do të ndalohet gjuetia, tregtimi ose transportimi i kafshëve të egra me qëllim konsumimi ose shitjeje.

Përdorimi i kafshëve të egra për qëllime jo të ngrënshme, përfshirë kërkimin shkencor, përdorimin mjekësor dhe argëtimin, do t’i nënshtrohet kontrollit të rreptë, miratimit dhe inspektimit të institucioneve.

Për tu informuar më tepër rreth koronavirusit mund të lexoni këtu 9 pyetjet më të zakonshme rreth këtij virusi.

Po ashtu, Exit News është konsultuar me disa specialistë të sëmundjeve infektive dhe të mushkërive dhe dëshiron të informojë lexuesit për disa nga rastet kur ata duhet të shqetësohen për mundësinë e prekjes nga koronavirusi. Për më tepër mund të lexoni këtu.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>