KLP hap garën për të zgjedhur Prokurorin e Përgjithshëm

KLP hap garën për të zgjedhur Prokurorin e Përgjithshëm

Këshilli i Lartë i  Prokurorisë hapi sot garën për Prokurorin e ri të Përgjithshëm, që do të zëvendësojë Arta Markun. Prokurori i Përgjithshëm ka mandat 7-vjeçar, pa të drejtë riemërimi.

Që prej dhjetorit 2017, kur i mbaroi mandati ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, prokuroria drejtohet nga Arta Marku, e cila u zgjodh në mënyrë anti-kushtetuese, vetëm me votat e shumicës sociliste, për një periudhë të përkohshme.

Për shkak të vonesave në zbatimin e reformës në drejtësi, veçanërisht procesitvetingut dhe ngritjes së institucioneve të reja, Kryerprokurorja e Përkohshme Marku ka më shumë se 15 muaj në detyrë.

Kushtet që duhet të plotësojnë kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm

Sipas nenit 22, të ligjit 97/2016, kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm duhet:

 – të kalojnë me sukses verifikimin e plotë të pasurisë dhe figurës së tyre;

 – të plotësojnë kërkesat e ligjit të dekriminalizimit, pra të mos jenë dënuar në të shkuarën;

 – të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar nga Sigurimi i Shtetit përpara vitit 1990 apo të ndonjë shërbimi tjetër sekret;

 – të mos jenë dënuar më parë me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;

 – të mos jenë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore, si dhe të mos kenë masa disiplinore në fuqi.

Si do të zgjidhet Prokurori i ri i Përgjithshëm

Kandidatët që plotësojnë kushtet e kërkuara me ligj, vlerësohen dhe renditen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë bazuar në disa kritere:

 – vlerësimin profesional në fushën e drejtësisë penale;

 – integritetin moral dhe profesional i kandidatit;

 – aftësitë organizative dhe drejtuese;

 – vlerësimin e elementëve plotësuese si titujt akademike, studime dhe trajnime jashtë vendit, njohja e gjuhëve të huaja.

Më pas, KLP i paraqet Kuvendit të Shqipërisë propozimin për të zgjedhur Prokurorin e Përgjithshëm mes tre kandidatëve të renditur të parët në listë. Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet ai kandidat që merr votat e të paktën 84 deputetëve.

Ligji nuk kufizon numrin e votimeve që mund të ndërmarrë Kuvendi, por nëse ai nuk arrin ta zgjedhë Prokurorin e Përgjithshëm brenda 30 ditëve nga paraqitja e propozimeve, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë shpallet i emëruar.

Pak javë më parë, Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gent Ibrahimi deklaroi se Prokurori i ri i Përgjithshëm duhet të zgjidhet brenda muajit qershor:

“Ligji na jep tre muaj kohë pas konstituimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për përgatitjen e rregullores. Në datë 19 mars hapet gara për Prokurorin e Përgjithshëm. Në muajin qershor do të kemi Prokurorin e ri të Përgjithshëm.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>