Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) shtyu mbledhjen për miratimin e listës me kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm.
Sot KLP do të miratonte listën e katër kandidatëve Arta Marku, Olsian Çela, Fatjona Memçaj dhe Lulzim Alushaj, në mënyrë që të vazhdonte më përzgjedhjen e tre prej tyre. Këta do t’i dërgohen më pas Parlamentit, i cili do të përzgjedhë Prokurorin e ri të Përgjithshëm.
Mbledhja u shty për shkak se Komisioneri Publik nuk e kishte informuar KLP-në nëse do ta ankimonte apo jo vendimin për konfirmimit në detyrë të prokurorit Olsian Çela. Mbledhja e rradhës do të zhvillohet ditën e mërkurë në orën 10.
Institucioni i Komisionerit Publik reagoi pas arsyetimit të KLP-së për shtyrjen e mbledhjes, duke sqaruar se afati që ligji i jep këtij institucioni për të ankimuar një konfirmim, në këtë rast të prokurorit Çela, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit përfundon sot. Ata theksuan se çdo ankim i tyre ndaj vendimeve të KPK-së publikohet menjëherë në faqen zyrtare të Komisionerit Publik.