Komisioneri Hahn përkrah ndryshimet ligjore të qeverisë për magjistratët e rinj

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Komisioneri Hahn përkrah ndryshimet ligjore të qeverisë për magjistratët e rinj

Gjatë vizitës së shkurtër në Tiranë, Eurokomisioneri për Zgjerim Johannes Hahn mbësheti “rregullimin” ligjor të Ligjit për Statusin, që do ta vinte Shkollën e Magjistratëve nën kontrollin e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD).

Gjatë takimit me Këshillin e Ministrave, Komisioneri Hahn deklaroi:

“Parlamenti duhet të amendojë ligjin për Statusin e Prokurorëve dhe Gjyqtarëve në mënyrë që Shkolla e Magjistraturës të rrisë nr e studentëve qe prej këtij viti. Është shumë e rëndësishme që edhe anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe atij të Gjyqësorit të emërohen. Është përgjegjësi e përbashkët e Qeverisë dhe e Opozitës që të zbatohet shpejt reforma në drejtësi. Do të ishte e çuditshme që si rezultat i një procesi të suksesshëm Vettingu, të haseni me një situatë ku të mos keni gjyqtarë kompetentë. Kështu që do të doja t’u bëja thirrje të gjitha palëve politike – sepse ju duhet shumicë e cilësuar në Parlament për të vendosur lidhur me këtë.”

Ironia e kësaj deklarate është e vështirë të mos vihet re, sepse një rezultat i tillë “i çuditshëm” është pak a shumë i garantuar nga mënyra me të cilën BE-ja ka mbështetur me gjithë zemër një sërë vendimesh të njëanshme të qeverisë Rama, të cilat jo vetëm kanë politizuar tërësisht pjesën e mbetur të institucioneve të drejtësisë, por gjithashtu e kanë bërë të pamundur  ndonjë zgjidhje politike të mundshme.

Ndryshimet të cilave i referohet eurokomisioneri janë propozuar kohët e fundit nga qeveria Rama dhe përfshijnë dispozita që sigurojnë që Shkolla e Magjistraturës mund të rekrutojë studentë të rinj për vitin e ardhshëm.

Komisioneri Hahn tregoi se sa pak i njohin zyrtarët e BE-së në të vërtetë hollësitë dhe detajet e reformës në drejtësi që kaq shumë mbështesin, duke na lënë të dyshojmë se dhe që këshilla ligjore e ofruar nga BE përmes EURALIUS-it mund të vihet në pikëpyetje:

 “Personalisht u habita, por edhe duhet ta kisha ditur që edhe për këtë, ju keni nevojë për shumicë të cilësuar, për të rritur numrin e studentëve në një institucion arsimor që duhet të ishte diçka shumë më e qartë. Megjithatë duhet të respektojmë caktimet ligjore.”

Me këtë deklaratë, Komisioneri tregoi qartë se nuk ishte i informuar për situatën aktuale ligjore. Sipas Ligjit të Statusit, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGj) dhe Këshilli i Lartë Prokurorial (KLP) përcaktojnë numrin e studentëve që do të vazhdojnë Shkollën e Magjistraturës dhe i caktojnë ato në postet e nevojshme pasi të diplomohen.

Ata mund të ndryshojnë numrin e studentëve pa pasur nevojë për një shumicë të cilësuar në Parlament. Shumica e cilësuar është e nevojshme për të hequr përkohësisht këtë kompetencë nga KLP dhe KLGj, sepse për shkak të vonesave në procesin e vetingut, vonesë e shkaktuar pjesërisht nga vetë qeveria, KLP dhe KLGj ende nuk janë formuar. Ky është një dallim që dueht përmendur.

Opozita i ka kundërshtuar këto ndryshime të propozuara nga qeveria jo sepse përcaktojnë numrin e studentëve që do të rekrutohen, por për shkak se këto ndryshime “përkohësisht” propozojnë transferimin e kompetencës për emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj të diplomuar nga KLGj e KLP tek KLD-ja dhe Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm. Sipas opozitës, Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm, i cili u zgjodh në mënyrë të njëanshme nga shumica socialiste, është jokushtetues, ndërsa KLD është e politizuar. Dhënia e pushtetit për të emëruar magjistratë të rinj do të dëmtonte gjithë procesin e reformës në drejtësi.

Amendimi i Ligjit të Statusit, i cili kërkon një shumicë të cilësuar prej 84 votash, ishte propozuar më herët dhe nga Delegacioni i BE në një memo të brendshme të  EURALIUS-it në mars 2018:

“Rekrutimi i një numri të mjaftueshëm të magjistratëve në vit është thelbësor për të siguruar që radhët e magjistratëve mund të plotësohen pas shkarkimeve të shkaktuara nga verifikimi. […]

Duke qenë se rekrutimi i kandidatëve për trajnimin fillestar është një kompetencë e përbashkët ndërmjet [KLGj / KLP] dhe [Shkollës së Magjistraturës], për shkak të moszformimit të [KLGj / KLP] [Shkolla e Magjistraturës] nuk ka të drejtë të fillojë procesin e rekrutimit në vitin 2018. […]

Është e diskutueshme nëse një konsensus politik mund të arrihet dhe cili do të ishte ‘çmimi’ për të.”

Komisioneri Hahn, dhe Delegacioni i BE-së, duket se pretendojnë se nuk do të ketë fare çmim për të paguar për votat e opozitës. Por, siç tregon dhe shkresa, kjo është “e diskutueshme”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>