
Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Olivér Várhelyi përgëzoi Serbinë për procesin e vaksinimit kundër Covid-19, gjatë vizitës se tij, të hënën. Várhelyi vuri në dukje se Serbia është vendi më i suksesshëm në rajon me fushatën e vaksinimit.
“Ne duam të ndihmojmë rajonin për t’u siguruar dhe për të krijuar imunitetin e nevojshëm kundër pandemisë. Dhe kjo është arsyeja pse unë jam kaq i lumtur që kemi qenë në gjendje të fillojmë në të vërtetë shpërndarjen e 651.000 dozave në rajon, “tha ai.
“Përmes COVAX dhe Bashkimit Evropian ne do të shpërndajmë gati një milion doza vaksinash në Ballkanin Perëndimor”, shtoi Varhelyi.
Komisioneri i BE gjithashtu falënderoi Serbinë për ndihmën e dhënë ndaj vendeve të rajonit me vaksinat. Serbia dhuroi vaksina për Malin e Zi, Bosnje dhe Herzegovinën dhe Maqedoninë e Veriut.
“Kështu që tani është radha jonë që t’i kthejmë Serbisë, një pjesë të ndihmës që po i jep tashmë rajonit përpara nesh. Dhe mendoj se kjo mbështetje u vlerësua gjithashtu jo vetëm nga rajoni, por edhe nga ne dhe kontinenti”, tha Várhelyi.
Duke u bërë thirrje të gjithëve që të marrin vaksinën, ai tha se kjo është e vetmja garanci për botën për t’i dhënë fund pandemisë.
Oliver Várhelyi do të vazhdojë vizitën e tij në Bosnjë dhe Hercegovinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Kosovën.