Komisioni Europian i ka propozuar BE-së të zgjasë mbylljen e kufijve deri më 15 maj për vendet e zonës Shengen. Propozimi ekstrem ka për qëllim kufizimin e përhapjes së koronavirusit.
Kjo do të thotë se nëse BE e miraton kërkesën e KE-së, qytetarët shqiptarë deri më 15 maj nuk do të mund të udhëtojnë dot në 22 vende të BE-së si dhe në Norvegji, Zvicër, Lihtenshtejn dhe Islandë, që janë pjesë e Shengenit.
Masa do të zbatohet për 62 vende, qytetarët të cilët përfitojnë nga programit të udhëtimit pa viza në BE nën Marrëveshjen Shengen.
Aktualisht udhëtimet me vendet e BE-së janë pezulluar deri më 17 prill. Kufiri është i hapur për vetë qytetarët e vendeve të zonës Shengen dhe rezidentët e tyre, si dhe për vizitat e domosodoshme nga vendet që përfitojnë nga regjimi Shengen si vizita zyrtare, shëndetësore, etj.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, pas këtij vendimi tha për gazetën gjermane BILD se:
“Unë i këshilloj të gjithëve të mos bëjnë plane për pushimet e verës. Për momentin askush nuk mund të bëjë parashikime të besueshme për Korrikun dhe Gushtin. Ne duhet të mësohemi të jetojmë me këtë virus për shumë muaj, ndoshta deri vitin e ardhshëm”.