Shqipëria ka përkeqësuar marrëdhëniet me Kosovën gjatë vitit të fundit dhe i ka përmirësuar me Serbinë, sipas raportit të tetorit 2020 të Komisionit Evropian.
Krahasimi i raporteve të tre viteve të fundit tregon se marrëdhëniet e qeverisë shqiptare me Kosovën kanë zbritur nga “shumë të mira” në “të mira”, ndërsa me Serbinë jane rritur nga bashkëpunim i mirë në fushën e biznesit në “marrëdhënie të mira” në përgjithësi.
Komisioni Evropian vlerëson njësoj nivelin aktual te marrëdhënieve të Shqipërisë me secilin nga këto dy vende.
“Në përgjithësi, Shqipëria vazhdon të ketë marrëdhënie të mira me Kosovën”, thekson raporti i 2020. Ndërsa në vitin 2018 dhe 2019, raporti i vlerëson marrëdhëniet si “shumë të mira”.
Koha e përkeqësimit të marrëdhënieve përkon me ardhjen në pushtet të Qeverisë Kurti dhe me kundërshtitë mes udhëheqësve të Kosovës dhe qeverisë Rama në lidhje me Mini-Shengenin. Kjo periudhë është mbizotëruar edhe nga diskutime për rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi, pas dështimit të idesë për shkëmbim të territoreve.
“Vrulli i këtyre marrëdhënieve u luhat për shkak të dinamikës së brendshme politike në Shqipëri dhe Kosovë dhe pozicionimit të udhëheqjes përkatëse në dialogun e lehtësuar nga BE midis Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në raport.
Kyreministrat Rama dhe Kurti nuk ranë dakord për mënyrën më të mirë të bashkëpunimit mes tyre. Rama këmbënguli se ai duhej të përqëndrohej në zonën Mini-Shengen, ndërsa Kurti theksoi se duhet të forcojnë bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri.
E kundërta ka ndodhur me marrëdhëniet e qeverisë shqiptare me atë serbe, sipas raportit. Në vitin 2018, dy vendet kanë qenë duke forcuar marrëdhëniet në fushën e biznesit. Në 2019, marrëdhëniet “kanë mbetur përgjithësisht të mira”. Ndërsa në vitin 2020, “marrëdhëniet me Serbinë janë të mira”, gjë që tregon një përmirësim gradual të tyre në tre vitet e fundit.
“Marrëdhënia me Serbinë është e mirë. Udhëheqësit e të dy vendeve takohen rregullisht në kuadrin e ngjarjeve rajonale dhe ndërkombëtare. Të dy vendet nënshkruan një memorandum mirëkuptimi në fushën e arsimit parauniversitar”, thotë raporti.
Takimet e Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit Aleksandar Vuçiç janë përqëndruar te krijimi i Mini Shengenit Ballkanik. Vuçiçi është lideri me të cilin Rama është takuar më shpesh gjatë 7 viteve në pushtet.