Komisioni i Jashtëm i Senatit amerikan miratoi të mërkurën emërimin e Zonjës Yuri Kim Ambasadore e SHBA-ve në Tiranë. Emërimi i saj pritet të kalojë për votim në Senat dhe nëse merr votat “pro” ajo do të zërë vendin e lënë bosh nga Donald Lu, i cili u emërua vitin e shkuar Ambasador në Kirgistan.
Zonja Kim ishte mes 15 emërimeve të miratuara nga Komisioni i Jashtëm, mes të cilëve edhe ai për postin e Ambasadorit amerikan në Rusi, John Sullivan.
Në fund të muajit tetor, Zonja Kim u paraqit në një seancë dëgjimore përpara Senatit amerikan ku paraqiti edhe idetë e saj për punën që do të zhvillonte në Tiranë, nga të cilat përparësi do të kishte:
- Inkurajimi i zbatimit të reformës në drejtësi, krijimi i strukturave të posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar
- Nxitja e udhëheqësve për të zgjidhur ngërçin politik dhe forcuar prespektivën e anëtarësimit në BE
- Ndihma për të forcuar institucionet në mënyrë që të jenë më rezistente ndaj influencave ruse dhe kineze
- Nxitja e investimeve dhe eksporteve amerikane në Shqipëri
- Inkurajimi i Shqipërisë për të arritur deri në vitin 2024 nivelin 2 për qind shpenzime për mbrojtje