Komiteti i Helsinkit: Në burgje ka të sëmurë mendorë, shkelen të drejtat e njeriut

Komiteti i Helsinkit: Në burgje ka të sëmurë mendorë, shkelen të drejtat e njeriut

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) publikoi dje raportin vjetor të të drejtëve të njeriut për Shqipërinë.  Gjatë vitit 2016, KSHH ka marrë në shqyrtim 290 ankesa për shkeljen e të drejtave dhe i është drejtuar në 325 raste institucioneve shtetërore për rekomandime apo për t’i vënë në dijeni për rastet në fjalë.

Po ashtu, KSHH ka bërë 188 verifikime duke përfshirë monitorim në burgje, paraburgime e komisariate policie, prokurori, Polici Bashkiake, QSUT, e në institucione të tjera të administratës publike. Komiteti ka dhënë mendimin ligjor për 16 projektligje, 7 prej të cilave thelbësore për ndryshimet në sistemin e drejtësisë.

Raporti tregon një situatë pesimiste të sistemit të paraburgimit në vend. Mbi 64 për qind e ankesave pranë KSHH-së kanë ardhur nga persona që ndodhen në paraburgim ose në burg, ndërsa 21 për qind e ankesave kanë lidhje me shkeljen e të drejtave të individit, kryesisht gjatë seancave gjyqësore.

Gjithashtu dhe mbajtja në burg e personave me probleme mendore, përveçse shkel të drejtat e tyre, ka sjellë dhe mjaft probleme serioze:

“Akomodimi në sistemin e burgjeve i rreth 175 të sëmurëve mendorë me masë mjekësore “Mjekim i detyruar në një institucion mjekësor”, përbën shkelje të rëndë të të drejtave të tyre si dhe ka sjellë përkeqësim të gjendjes së shëndetit të tyre mendor. Një nga çështjet që po përfaqësojmë në Gjykatën e Strasburgut synon zgjidhjen e këtij problemi endemik që shteti shqiptar nuk ka mundur t’i japë zgjidhje efektive prej gati 20 vitesh.”

Raporti përmend dhe mungesën e mbrojtjes ligjore të qytetarëve të komunitetit rom apo egjiptian, dhe se megjithëse qeveria ka miratuar një plan veprimi për personat me orientim të ndryshëm seksual, sjellja e nëpunësve publikë ndaj tyre është ende diskriminuese.

Lidhur me luftën ndaj korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës në sistemin gjyqësor, Komiteti shkruan se “pandëshkueshmëria e zyrtarëve të nivelit të lartë për veprat penale në fushën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës vijon të mbetet problem.”

Së fundmi, KSHH thekson se  dhuna ndaj grave dhe fëmijëve vazhdon të mbetet një problem serioz dhe mjaft i përhapur që ende nuk ka marrë zgjidhje nga institucionet:

Të dhënat zyrtare evidentojnë përhapje të gjerë të fenomenit të dhunës në familje, veçanërisht ndaj gruas. Gjithashtu dhuna ndaj fëmijëve gjatë vitit 2016 ka qenë shqetësuese, veçanërisht në qendrat rezidenciale për fëmijët, në sistemin parashkollor dhe në ciklin e ulët mësimor. Koordinimi mes institucioneve përgjegjëse për referimin dhe trajtimin e këtyre rasteve si dhe mbrojtja gjyqësore nuk ka rezultuar gjithmonë efektive.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>