Komiteti Kombëtar Këshillues për Imunizimin në Kanada mbështeti të martën përdorimin e vaksinës COVID-19 AstraZeneca për njerëzit e moshës 65 vjeç e lart.
Duke tërhequr qëndrimin fillestar, ai argumentoi see tre studime të fundit, bazuar në personat e vaksinuar, treguan që përdorimi ishte i sigurt dhe efektiv për të rriturit e moshuar.
Sipas raportimit të Reuters, në fillim të marsit Komiteti (NACI) kishte rekomanduar që doza e AstraZeneca duhet t’u jepej vetëm atyre midis moshës 18 dhe 64 vjeç, pasi në provat klinike ishin paraqitur shumë pak njerëz mbi këtë moshë.
Komiteti tha në një deklaratë se tani ka dëshmi nga bota reale, nga Mbretëria e Bashkuar, e cila ka administruar vaksinën AstraZeneca për njerëzit e moshës 65 vjeç e lart.
“Këto prova tregojnë se vaksina është e sigurt dhe efektive tek të rriturit e moshuar,” shkruhej në deklaratë.
Kanadaja nuk ka ndjekur shembullin e disa vendeve evropiane, që pezulluan përdorimin e vaksinës AstraZeneca, pas raporteve të mpiksjes së gjakut pas vaksinimit.
Një zyrtar i Shëndetit në Kanada tha se mpiksjet duken më pak seç ndodhin zakonsht, jo më shumë, mes njerëzve të vaksinuar.
Të dielën, AstraZeneca tha se të dhënat për më shumë se 17 milion njerëz të vaksinuar nuk tregonin rritje të rrezikut të mpiksjes së gjakut.
Kanadaja ka qasje në vaksinat Pfizer/BioNTech, Moderna, AstraZeneca, por dalja në treg ka qenë e ngadaltë për shkak të mungesës së prodhimit vendas.
Vetëm 6.9% e popullsisë kanadeze ka marrë të paktën një dozë.
Komiteti tha se ende rekomandon që vaksinat e ARN-së, si ato nga Pfizer dhe Moderna, të kenë përparësi për njerëzit më të ekspozuar apo ata për të cilët paraqet rrezikmëri të lartë.
Kanadaja ka regjistruar gjithsej 22 495 vdekje nga COVID-19 dhe 913 047 raste gjithsej.
Zyrtarët shëndetësorë në Ontario, më i populluari nga 10 provincat, thanë se po shohin shenja të qarta të një vale të tretë të infektimit.