Koordinatori kosovar Skënder Hyseni për dialogun Serbi-Kosovë akuzoi Serbinë se po përpiqet të manipulojë dialogun duke zvarritur procesin për një kohë të pacaktuar.
“Procesi nuk duhet të lejohet të manipulohet nga Serbia”, dhe “ka shenja shumë serioze që synohet manipulimi i gjithë procesit,” deklaroi Skenderi të enjten, pas mbylljes së takimit të ekspertëve në bruksel.
Duke folur për gazetën Koha pas raundit të dytë të bisedimeve teknike në Bruksel, Hyseni fajësoi Serbinë që ishte “jokonstruktive” dhe nxiti diskutimin e pikave të dakorduara në takimin e kaluar.
“Pala serbe sot ka qenë jokonstruktive. Kjo duhet të theksohet me zë të lartë dhe të qartë. Sot, pala serbe madje është rikthyer në pikat për të cilat ne ishim pajtuar në parim”, tha Hyseni.
Palët diskutuan sot për personat e zhdukur dhe bashkëpunimin ekonomik — tema që u diskutuan edhe në takimin e kaluar në korrik.
Ai shtoi se Kosova nuk do të pranojë që dialogu të largohet nga qëllimi i arritjes së njohjes së ndërsjellë.
“E gjithë kjo konfirmon atë shqetësim, shqetësimin që kam shprehur se Serbia synon të tërhiqet, të shtrojë në tryezë çështje që kanë vetëm një qëllim, që procesi të zvarritet dhe përfundimisht të futet në diçka që nuk do ta pranojmë fare”, tha Hyseni pas takimit.
Kryenegociatori i Kosovës shtoi se njohja e ndërsjellë është objektivi i vetëm që mund të zgjidhë mosmarrëveshjet midis dy vendeve.
“Kjo marrëveshje duhet të sjellë në mënyrë të pashmangshme njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nuk mund të ketë asnjë marrëveshje tjetër […] Pa këtë kuadër, ne mund të kalojmë vetëm në dhjetë vjet kohë të humbur plotësisht krejtësisht të panevojshme dhe thellimin e mosmarrëveshjeve që janë tashmë të mëdha”, përfundoi ai
Më 4 shtator, liderët e Kosovës dhe të Serbisë do të takohen në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar bashkëpunimin ekonomik.