Kosova anulon fluturimet nga Italia veriore si masë emergjente kundër koronavirusit

Nga Exit News
Kosova anulon fluturimet nga Italia veriore si masë emergjente kundër koronavirusit

Të dielën Kosova anuloi të gjitha fluturimet që vijnë nga Italia veriore pasi bilanci i koronavirusit atje u rendua ndjeshëm. Gjatë fundjavës, numri i të prekurve nga koronavirusi në Itali shkoi në rreth 6 400 të infektuar ndërsa i viktimave i kaloi 360 të vdekurit.

Ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Lumir Abdixhiku njoftoi përmes një postimi në Facebook se pas rekomandimeve nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë ishte vendosur të anuloheshin të gjitha fluturimet që vinin nga zonat epidemike.

“Fluturimet – për, e nga Italia Veriore – janë ndërprerë. Ndjejmë keqardhje për masat e marra, – por në situatën e tanishme nuk kemi alternativë. Jam në kontakt të ngushtë me Ministrin e Shëndetësisë Vitia dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme Konjufca për të koordinuar kontrollin ne Aeroport dhe asistencën eventuale ndaj udhëtarëve në zonat e rrezikshmërisë së lartë.”

Qeveria italiane vendosi gjatë fundjavës që të viheshin në karantinë 16 milionë njerëz, banorë të disa krahinave në veri, ndërkohë që shumë aktivitete janë pezulluar. Aktualisht në diskutim janë edhe ndeshjet e kampionatit Italian.

Pavarësisht masave ekstreme në Itali, në Shqipëri vazhduan normalisht fluturimet. Siç Exit-News verifikoi, vetëm një kompani anuloi linjat e saj gjatë së dielës me arsyen “probleme operacionale” ndërsa të tjerat vazhduan punën si zakonisht.

Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi janë vendet e vetme në rajon që nuk kanë regjistruar asnjë rast të tillë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>