Për herën e pestë radhazi që prej shpalljes së pavarësisë, Kosova do të mbajë sërish zgjedhje të parakohshme më 14 shkurt.
Në vitin 2008 Kosova u shpall shtet i pavarur. Që nga ajo kohë janë mbajtur 4 palë zgjedhje, të gjitha të parakohshme.
Emisioni “Me Pak Fjalë” këtë javë tregoi se si kemi arritur në këtë situatë dhe çfarë pritet të sjellin zgjedhjet për politikën kosovare.
Zgjedhjet e vitit 2010 nxorrën fituese Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) të drejtuar nga Hashim Thaçi, e cila krijoji qeverinë pasi formoi koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës që ishte partia e dytë më e madhe në Kuvend.
Përplasjet brenda koalicionit, bllokimi i vendimarrjes dhe dështimi për të themeluar Forcat e Armatosura të Kosovës shkaktuan ndarjen e dy aleatëve në vitin 2014, disa muaj para përfundimit zyrtar të mandatit të qeverisë.
Zgjedhet e radhës patën të njejtin rezultat dhe pas 6 muajsh negociata, PDK u bashkua sërish me LDK për të formuar qeverinë e kryesuar këtë herë nga Isa Mustafa.
Kjo qeveri zgjati vetëm tre vite pasi koalicioni u prish, kësaj here nga dështimi i Kuvendit për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Në zgjedhjet e parakohshme që u zhvilluan në të njejtin vit, PDK hyri në koalicion parazgjedhor me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e Ramush Haradinajt dhe Nismën e Fatmir Limajt.
Ata i fituan zgjedhet ndërsa kryeministër u zgjodh Haradinaj. Dy vite më vonë, në 2019, ai u thirr nga Gjykata Speciale në Hagë për t’u intervistuar. Kjo solli dorëheqjen e kryeministrit dhe hyrjen në zgjedhjet e parakohshme të radhës.
Zgjedhet e 2019 sollën një ndryshim të madh në Kosovë pasi u fituan nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e Albin Kurtit. Për herë të parë një nga partitë jo me identitet historik doli e para në zgjedhje.
PDK dhe LDK u krijuan gjatë periudhës së luftës në Kosovë kundër agresionit serb dhe dominuan skenën politike përgjatë dy dekadave duke qeverisur për shumicën e kohës në koalicion me njëra tjetrën.
Vetëvendosja kandidoi për herë të parë në zgjedhjet e vitit 2010 ku mori 14 mandate si partia e tretë më e votuar. Në zgjedhjet e 2019 ajo doli parti e parë dhe fitoi 29 mandate.
Megjithatë, qeveria Kurti zgjati vetëm 50 ditë pasi LDK doli nga koalicioni si pasojë e konfliktit mbi qasjen ndaj Serbisë dhe partnerëve ndërkombëtarë. Kësaj radhe, vendi nuk shkoi në zgjedhje por LDK u bashkua me AAK dhe Nismën për të formuar qeverinë Hoti e cila ra pas 10 muajsh.
Një nga arsyet përse Kosova ka mbajtur zgjedhje të përgjithshme mesatarisht çdo dy vite janë proceset shtetformuese të pasluftës të cilat paraqesin sfida për qeveritë.
Arsye tjetër më objektive është pamundësia e çdo partie për të formuar shumicën. Nga 120 vende në Kuvend, 20 janë të rezervuara për komunitetet minoritare. Kështu që partitë luftojnë për 100 vendet e mbetura dhe ka pak gjasa që njëra të sigurojë 61 prej tyre që të formojë e vetme qeverinë.
Gjithashtu, Kosova ka tre parti të mëdha që garojnë për të fituar zgjedhjet. Pra qeveria me shumë gjasa do të kërkojë bashkimin e dy prej tyre që të ketë shumicë parlamentare.
Çuarja e mandatit qeverisës deri në fund do të varet më pas nga aftësia e qeverisë dhe aleatëve në koalicion për të patur një qëndrim të përbashkët në çështjet më të rëndësishme të vendit, siç janë zbatmi i refomave dhe dialogu me Serbinë për njohjen reciproke.
Nuk dihet nëse kjo do të ndodhë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Megjithatë, LDK dhe PDK gjatë kësaj dekade kanë humbur votues dhe përfituesja ka qenë LVV që për momentin gëzon mbështetjen më të gjerë në publik dhe pritet të dalë parti e parë pas zgjedhjeve.
Me gjasa tre parti të tjera do të kenë rol të rëndësishëm në formimin e qeverisë së re: AAK-ja e Ramush Haradinajt, AKR e Behxhet Pacollit, Nisma e Fatmir Limajt.
Disa zhvillime të rëndësishme që i kanë paraprirë zgjedhjeve pritet të kenë ndikim në rezultat.
Së pari, arrestimi dhe formulimi i akuzave zyrtare për krime lufte dhe kundër njerëzimit për Hashim Thaçin dhe Kadri Veseli, dy figurat kryesore dhe më të rëndësishme të PDK-së.
Së dyti, largimi nga LDK dhe bashkimi me Vetëvendosjen i Vjosa Osmanit, ish nën-kryetares së LDK-së dhe kandidates më të votuar në zgjedhjet e shkuara dhe një nga politikanet më popullore në Kosovë.
Së treti, moslejimi i kandidimit të Albin Kurtit, për shkak se ai ka qenë dënuar për hedhjen e gazit lotjsellës në Kuvend, dhe ligji pengon kandidimin e personave të dënuar penalisht gjatë tre viteve të fundit. Kurti do të jetë gjithësesi kandidati për kryeministër i VV-së pasi ligji nuk ja ndalon të ketë këtë pozicion.