Kosova dhe SHBA-të nënshkruan një marrëveshje për nxitje të investimeve në Kosovë.
Lajmin e bëri të ditur ambasada e SHBA-ve në Kosovë përmes një postimi në Tëitter.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett nënshkruan këtë marrëveshje, e cila i mundëson Korporatës së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC) dhe bankës për zhvillim të Amerikës të sjellë investime financiare në Kosovë.
“DFC ka kënaqësinë që Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nënshkruan Marrëveshjen për nxitjen e investimeve, që forcon përkushtimin e SHBA-së për shtrirjen e veglave financiare në dispozicion për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës, veçanërisht sektorit të saj privatˮ, pohoi John Jovanoviq, zëvendës-nënkryetar i DFC-së.
Korporata e SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar e themeluar në 2020-n, bashkëpunon me sektorin privat për financimin e zgjidhjeve të sfidave më të rënda me të cilat përballet bota në zhvillim sot. Ajo investon në sektorë të ndryshëm përfshirë në sektorin e energjisë, kujdesit shëndetësor, infrastrukturës thelbësore dhe teknologjisë. DFC-ja gjithashtu ofron financim për biznese të vogla dhe gratë sipërmarrëse për të krijuar vende pune në tregjet në zhvillim.