Kosova do të marrë pjesë në takimin me Serbinë në Uashington

Nga Exit News
Kosova do të marrë pjesë në takimin me Serbinë në Uashington

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka konfirmuar, mëngjesin e së premtes, pjesëmarrjen në takimin me Serbinë në Uashington në 2 shtator.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Hoti u shpreh:

“SHBA ka qenë gjithmonë vendimtare në procesin e shtetndërtimit të Kosovës. 
Më 2 shtator takohemi në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar me palën serbe, si dy vende të pavarura, për projekte madhore të bashkëpunimit ekonomik që do ta ndërrojnë perspektiven ekonomike të Kosovës dhe rajonit.”

Lajmin për takimin mes zyrtarëve të dy vendeve e bëri publik pak orë më parë Riçard Grenelli, i dërguari i Presidentit amerikan Donald Tramp.

Ky samit vjen pas shtyrjes së një samiti të mëparshëm për të rifilluar dialogun e ngecur, i planifikuar për 27 qershor. Ai u shty për shkak të publikimit të aktakuzave për krime lufte që përfshinin Presidentin Hashim Thaçi, i cili ishte rrugës për në Shtëpinë e Bardhë.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç u takuan një herë në Bruksel në 16 korrik dhe më pas caktuan negociatorë për të vazhduar më tej me çështjet teknike.

Sidoqoftë, çështja kryesore e njohjes së Kosovës mbetet jashtë negociatave. Ndërsa Kosova pretendon se ka hyrë në dialogu ekskluzivisht për njohje reciproke , Serbia mohon kategorikisht se mund të diskutojë ndonjëherë për njohjen e Kosovës.

Samiti i shtyrë i 27 qershorit ishte planifikuar të përqëndrohej në çështjet ekonomike. Nuk është e qartë se cila do të jetë përmbajtja e negociatave të 2 shtatorit. Mbetet, gjithashtu, e panjohur nëse ky samit është i koordinuar me BE-në.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>