Në Ditën e Europës, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është shprehur se Bashkimi Europian ka vonuar procesin e integrimit të Kosovës dhe “kjo ëndërr gjithnjë e më shumë po shndërrohet në një zhgënjim kolektiv për qytetarët e shtetit tonë.”
“Sepse Dita e Evropës e gjenë Kosovën jo vetëm pa statusin e kandidatit, por edhe pa liberalizim të vizave, e ndërsa qytetarët e saj në një getoizim të pashembullt.”, shkruan Konjufca në Facebook.
Dita e Europës është festë zyrtare në Kosovë që kur vendi shpalli pavarësinë në vitin 2008.
“Zyrtarizimi dhe shënimi i kësaj dite, […] është dëshmi e qartë e orientimit të palëkundur të Kosovës drejt familjes evropiane, së cilës i takon edhe gjeografikisht.” shkruan Konjufca.
Pavarësisht shpërfilljes, sipas Konjufcës, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të besojnë në politikat integruese europiane dhe shpresojnë se në të ardhmen e afërt Europa do t’i hapë dyert siç i hapi për shumë shtete të tjerë.
“Ndërsa institucionet tona do të punojnë edhe më me përkushtim e vendosmëri, ndershmëri e përgjegjësi drejt përmbushjes së të gjitha kritereve për realizimin e ëndrrës sonë të kahmotshme – integrimin e plotë të Republikës së Kosovës në shtëpinë e përbashkët evropiane.”, deklaroi ai.
Kosova është i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor qytetarët e të cilit nuk mund të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen.
Pesë anëtarë të BE-së, Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja vijojnë të mos e njohin Kosovën si shtet të pavarur.