Qeveria e Kosovës, të mërkurën, më 25 gusht miratoi projektligjin për gjykimin në mungesë të akuzuarve për krime lufte. Ky projektligj më pas do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për miratim, njoftoi Radio Evropa e Lirë.
“Të gjithë ata që kanë kryer krime lufte do të marrin dënimin e miratuar dhe kudo që hasen nga organet ligjzbatuese do të vuajnë dënimin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë”, u shpreh Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu gjatë prezantimit të projekligjit.
Gjatë luftës në Kosovë humbën jetën rreth 13.500 persona, shumica dërmuese shqiptarë, ndërsa 1.600 ende konsiderohen të pagjetur.
Ish-këshilltarja e përhershme ligjore në Departamentin amerikan të Drejtësisë, Lana Morton-Owens, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më herët ka deklaruar se Kosova ka trashëguar rreth 1.000 raste te krimeve të luftës nga UNMIK-u dhe EULEX-i, rreth 15 vjet të vjetra. Por, edhe ajo ka theksuar se në drejtësinë e ngadalshme ka ndikuar mungesa e stafit.
Një departament i posaçëm për krime lufte është krijuar në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës në maj të vitit 2015.