Kosova kritikon Kryeministrin Rama

Kosova kritikon Kryeministrin Rama

Vizita e Kryeministrit Edi Rama në Serbi këtë javë ka shkaktuar reagime të ashpra në Kosovë.

“Normalizimi i plotë i marrëdhënieve shqiptaro-serbe nuk kalon nga Beogradi përmes Tiranës, por nga Prishtina” – u shpreh Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Kritikat më të ashpra i janë adresuar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje. Zoti Visar Ymeri i bëri thirrje Kryeministrit Rama të mos vizitojë Beogradin. Ai tha se fakti se Serbia nuk ka kërkuar falje për krimet e luftës, nuk ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe e fundit arrestimi i Drejtorit të Policisë së Kosovës Zoti Nehat Thaçi, janë arsye të mjaftueshme për të mos vizituar Serbinë.

“…Rama nuk duhet ta ndihmojë Vuçiqin që ai të duket mirë në Ballkan. Rama duhet të shkojë pesë herë në Zagreb, katër herë në Sarajevë, tre herë në Podgoricë, dy herë në Sofje, që të mund të shkojë një herë në Beograd” – shtoi kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri në një postim në Facebook.

Ndërkohë vizita e Kryeministrit Rama u prit më kritika edhe në Serbi. Sipas gazetës Bic Srbija, Ministri Serb Aleksandar Vulin e quajti Kryeministrin Rama një politikan të vogël që i drejtohet vetëm votuesve të tij dhe mendon vetëm për veten, ndërkohë që shefin e tij Kryeministrin Vuçiç e cilësoi një burrë shteti të pranuar, i cili për dallim nga ky i fundit, kërkon dhe gjen zgjidhje për gjithë popullin dhe shtetin Serb.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>