Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti njoftoi të mërkurën se vaksinimi i qytetarëve do të nisë në muajin shkurt, kur të mbërrijnë vaksinat e para.
Në një konferencë për mediat, ai pohoi se qeveria planifikon të vaksinojë 20 mijë qytetarë.
“Ne presim sikurse në vendet e rajonit, vaksinat e para të vinë në muajin shkurt. Kemi siguruar buxhetin. Siç e dini është miratuar buxheti për vitin 2021 dhe janë ndarë 40 milionë euro vetëm për vaksinën anti-COVID kështu që ne jemi të përgatitur për këtë proces të rëndësishme”
Hoti u shpreh se të parët që do të vaksinohen janë stafi mjekësor, personat mbi 65 vjeç dhe personat me sëmundje kronike.
Hoti deklaroi se janë siguruar 535 mijë dozave të vaksinës nga kompania Pfizer. Po ashtu, ai tha se kanë negociuar për marrjen e 600 mijë dozave të vaksinave nga Austria.
Nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Kosova pritet të marrë 720 mijë doza, apo vaksina të mjaftueshme për 20 përqind të popullsisë.