Kosova vendosi të mos çojë përpara projektin për ndërtimin e gazsjellësit të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit e Qeverisë së SHBA-së (MCC), njoftoi të enjten ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanollit.
“Kosova ka nevojë për më shumë informata, për të qenë e sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin energjetik”, deklaroi Rizvanolli për mediat.
Ministrja shtoi se Kosova do të shkojë drejt investimeve me risk më të ulët pasi MCC-ja “ka afate kohore strikte për zhvillim dhe nënshkrim të programit”.
Një nga dilemat e qeverisë kosovare janë edhe kostot kapitale të projektit, njoftoi dy javë më parë ministrja.
Përfaqësues të shoqërisë civile dhe disa parti opozitare i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të pranojë investimin amerikan për ndërtimin e infrastrukturës së gazit natyror.
Sipas tyre, Kosova ka nevojë për rritje të diversitetit të burimeve të energjisë elektrike.