Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi sot kandidatin për Inspektor të Lartë dhe gjyqtarin Artur Malaj.Vendimi u mor nga trupa gjykuese e përbërë nga Rezarta Schuetz, Sokol Çomo Ina Rama, Ardian Hajdari dhe Luan Daci.
KPA konstatoi se zoti Malaj ka kryer deklarim të pasaktë dhe nuk justifikonte pasurinë e tij. Ai nuk arriti të provojë ligjshmërinë e burimeve për blerjen e një vile tre katëshe në Vlorë dhe të të ardhurave të tij.
Gjyqtari Malaj u konfimua nga shkalla e parë e vetingut pavarësisht problemeve me pasurinë dhe figurën.
Sipas deklaratës së pasurisë, në vitin 2004 pasuria e gjyqtarit ishte vetëm 750 mijë lekë, ndërsa në fund të vitit 2017, ajo është rritur 47 herë, duke arritur në vlerën e 35,5 milionëve.
Lidhur me aftësitë profesionale, DSIK e ka quajtur të papërshtatshëm për të vazhduar detyrën gjyqtarin Malaj. Sipas raportit të DSIK-së, Artur Malaj është përfshirë në korrupsion gjatë punës në Gjykatën e Vlorës.
Si Komisioneri Publik ashtu dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kërkuan shkarkimin e Malaj me argumentin se ai kishte probleme në të trija kriteret e rivlerësimit; pasurinë, figurën dhe profesionalitetin.