Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur të rihapë hetimet për gjyqtaren e Gjykatës Administrative të Apelit Alkelina Gazidedja, për shkak të dyshimeve për konflikt interesi me blerjen e aksioneve në një kompani që ka kontrata publike.
Më 9 janar, KPK zhvilloi seancën dëgjimore me gjyqtare Gazidedja ku institucionet ndihmëse të KPK-së prezantuan gjetjet e hetimit të tyre administrativ.
Nga hetimet rezultoi se bashkëshorti i gjyqtares ka blerë aksione tek kompania Albtelecom, veprim të cilin KPK e cilësoi në shkelje të ligjit “Për parandalimin e konfliktit të Interesit,” që ndalon posedimin e aksioneve nga magjistratët në kompani që marrin kontrata publike.
Po ashtu gjyqtarja dhe familja e saj, kanë në pronësi disa biznese, një shtëpi 3-katëshe të ndërtuar fillimisht si ndërtim pa leje dhe llogari bankare ku KPK ka gjetur transaksione të dyshimta.
Për të zbardhur të gjitha këto dyshime, KPK ka vendosur që të ndërmarrë një hetim tjetër të pavarur dhe të thellë.
Lidhur me pastërtinë e figurës, DSIK e ka vlerësuar gjyqtaren si të përshtatshme për vazhdimin e detyrës.
Alkelina Gazidedja e ka filluar karrierën e saj në sistemin e drejtësisë në vitin 1996. Ajo ka punuar pranë Gjykatës së Tiranës deri në vitin 2013 dhe më pas u dekretua anëtare e Gjykatës Administrative të Apelit.