Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra prokurorin e Apelit të Tiranës Edmond Hyka, për shkak të problemeve me pasurinë.
Vendimi u mor nga Xhensila Pine, Olsi Komici dhe Brunilda Bekteshi. KPK vlerësoi prokurorin për të tri kriteret: atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.
Sipas BIRN, pas analizës financiare, KPK kishte gjetur se prokurorit Hyka i mungonin 18.2 milion lekë për të justifikuar pasurinë.
Po ashtu, prokurori nuk kishte dokumente për të vërtetuar 35 mijë euro të trashëguara nga babai dhe 2,6 milionë lekë.
Avokati mbrojtës i prokurorit, Jordan Daci kundërshtoi vendimin e KPK-së duke thënë se prokurorit Hyka nuk i ishte lënë kohë mjaftueshëm për të siguruar dokumentet, pasi për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme nga tërmeti, prokurori nuk ka mundur të shkojë në apartamentin e tij në Durrës.
Edmond Hyka ka punuar si avokat nga viti 1998 deri në vitin 2005; kohë kur u emërua prokuror në Prokurorinë e Apelit të Durrësit. Në vitin 2006, Hyka u transferua në Prokurorinë e Apelit të Tiranës.