Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, deklaroi se nuk duhet të ketë dialog me Serbinë, pa ndërmjetësimin e SHBA-ve.
“Pjesëmarrja e SHBA-së është e pakontestueshme. Pa pjesëmarrje të SHBA-së as që duhet të ketë dialog. Kosova vlerëson rolin e BE-së, por domosdoshmërish e kërkon përfshirjen e SHBA-së në dialog. Kjo është e padiskutueshme”, u shpreh Abdixhiku për mediat.
Në mbledhje ai ka kërkuar të dijë qëndrimin politik të qeverisë për dialogun dhe ka depozituar një propozim mbi pozicionin që duhet të mbajë Kosova.
“Ky dokument përmban parime që dialogu duhet t’i mbrojë e që janë diskutimi mbi bazën e GJND-së, mbrojtja e integritetit territorial, ruajtja e karakterit unitar të Kosovës dhe rendit kushtetues”, shtoi Abdixhiku.
Një ditë më parë, ka qënë kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rramush Haradinaj që kërkoi praninë e një përfaqësuesi të SHBA-ve në dialogun me Serbinë.
Konsultimet me opozitën, të paralajmëruara nga kryeministri i Kosovës, vijnë në kuadër të takimit të paralajmëruar mes Kurtit dhe Vuçiç në qershor, i cili do të ndërmjetësohet nga BE-ja.
Vetëm kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, e ka refuzuar ftesën e Kurtit.