Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha refuzoi sërish ftesën e sotme të kryeministrit Rama për të dialoguar.
Në reagimin e tij publik, Zoti Basha shkruan se ai ka nisur “një dialog kombëtar gjithëpërfshirës” me gjithë shqiptarët dhe ky është i vetmi dialog ku ai do të jetë pjesë.
Kreu i PD-së shkruan se kryeministri Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen disa herë gjatë qeverisjes së tij, pas çdo skandali që i është bërë publik qeverisë Rama, pas largimi të qindra mijëra shqiptarëve nga vendi, pasi u zbulua se kishte vënë në listat e deputetëve dhe në krye të bashkive kriminelë, pas vjedhjes së votive, pas skandaleve të dy ish-ministrave Tahiri e Xhafaj, e plot raste të tjera.
Zoti Basha shkruan se “qëndrimi i tij i prerë dhe i palëkundur është se Edi Rama duhet të largohet menjëherë nga Kryeministër, sepse ai është shkatërrues i zgjedhjeve të lira dhe dhunues i vullnetit të popullit.”
Për këtë arsye Basha nuk pranoi të ulet në bisedime me Ramën, dhe ftoi të gjithë qytetarët t’i bashkohen në protestat për largimin e tij dhe për të sjellë ndryshimin e vërtetë potikik, ekonomik dhe shoqëror, duke “çliruar politikën nga paratë e pista dhe autokracia, ekonominë nga oligarkët, nga monopolet e dhuna shtetërore”.
Disa nga deklaratat kryesore të Zotit Basha janë:
“Dje, pasi shpalli hapur se shqiptarët janë më mirë pa gjykata, Edi Rama më dërgoi mua një letër për të më ftuar në “dialog”, pra, që unë dhe ai të ulemi për të biseduar, sepse, sipas tij, kështu e kërkon demokracia.
Në të vërtetë demokracia e kërkon që pushteti të burojë nga populli dhe të dialogojë me popullin, demokracia kërkon që mosmarrëveshjet që nuk i zgjidh dot politika t’i zgjidhë populli, me votë.
Por për Edi Ramën arti i qeverisjes demokratike është i huaj, ai është artist në artin e mashtrimit. E gjithë qeverisja e tij ka qenë grabitje dhe mashtrim i popullit, i pasurive publike dhe dhunim i çdo vlere demokratike e perëndimore.
Sikur Edi Rama të kishte qoftë edhe një fije respekt dhe vëmendje për popullin, sikur tek ai të kishte vetëm një fije vetëdije demokratike, ai do ta kishte dhënë dorëheqjen të paktën 20 herë këto gjashtë vitet e fundit.
Ai duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur u zbulua se kriminelët i kishte bërë deputetë; kur Elvis Roshi doli trafikant e përdhunues; kur Shqipëria u bë hambari i drogës në Europë; kur ylli i qeverisë së tij Saimir Tahiri doli që ishte trafikant droge; kur kompania e Qazim Sejdinit u kap me drogë; kur Fatmir Xhafaj u zbulua që mbronte vëllain trafikant; kur u zbulua se Olsi Rama ishte i lidhur me grupin e Xibrakës; kur plasën njëra pas tjetrës skandalet e koncesioneve qindra milionashe; kur u zbuluan 30 milion eurot që ai donte t’i vidhte dhe pastronte në Amerikë me një kompani fallco.
Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur u zbulua se ai i vodhi zgjedhjet e 25 qershorit me Vangjush Dakon, Damian Gjiknurin dhe kriminelët më famëkeq të vendit.
Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur njerëz të varfër u rrahën dhe vdiqën në qelitë ku mbaheshin për fatura dritash apo shtesë banese pa leje; kur qytetarëve të Shkozës, Bulevardit të Ri, të Himarës e kudo në Shqipëri u prishi shtëpitë pa shpërblim dhe pa proces ligjor; kur helmoi me gaz qytetarët që protestojnë për të drejtat e tyre.
Edi Rama duhet të kishte dhënë dorëheqjen sa herë që Shqipërisë iu refuzua hapja e negociatava nga BE; kur shqiptarët filluan të emigronin në masë pa asnjë shpresë; kur investitorët perëndimorë filluan të largohen njëri pas tjetrit nga Shqipëria për t’u zëvendësuar me oligarkë vendas apo me kriminelë rusë apo lindorë; kur qeveritë europiane u alarmuan sepse Shqipëria u shndrrua në bazë të sigurtë të krimit të organizuar.
Vendi ynë ka shumë plagë të thella, të cilat duan ide, vullnet dhe punë të shërohen. Sot, Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të vërtetë politik, ekonomik e shoqëror. Ne duhet të çlirojmë politikën nga paratë e pista dhe autokracia, të çlirojmë ekonominë nga oligarkët, nga monopolet e dhuna shtetërore, të krijojmë mundësi që çdo shqiptar të ketë shanset të gëzojë punën dhe talentin e tij; të krijojmë një shoqëri të drejtë për të gjithë.
Për këto sfida ne kemi filluar një dialog kombëtar gjithëpërfshirës. Ky është i vetmi dialog që ndryshon Shqipërinë dhe i vetmi dialog ku unë do të jem pjesë.
Qëndrimi im i prerë dhe i palëkundur është se Edi Rama duhet të largohet menjëherë nga Kryeministër, sepse ai është shkatërrues i zgjedhjeve të lira dhe dhunues i vullnetit të popullit.
Ju ftoj që të bashkohemi të gjithë në protestat tona për largimin e tij, dhe në dialogun kombëtar për ndryshimin e vërtetë që duhet të sjellim për garantuar të ardhmen Europiane të Shqipërisë.”