“Ne na duhet të vendosim për fillimin e negociatave të pranimit [në BE] të Shqipërisë përpara verës. Mendoj se është ende shumë herët. Në këtë moment unë jam qartësisht kundër fillimit të negociatave të pranimit me Shqipërinë.”
Kështu është shprehur Kryetari i Komisionit për Çështjet e BE-së në Bundestagun gjerman Gunther Krichbaum, gjatë një interviste për median gjermane Die Welt.
Kjo deklaratë konfirmon qendrimin e Krichbaum, të cilin deputeti e ka shprehur vazhdimisht, si pas marrjes së rekomandimeve pozitive për vendin tonë nga Komisioni Evropian, ashtu dhe pas takimit me Kryeministri Rama në fund të prillit.
“Shqipëria na ka prezantuar reforma të shumta, por këto duhet të zbatohen plotësisht. Kjo vlen në veçanti për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që shpesh arrin në qarqet më të larta të qeverisë,” vazhdoi më tej deputeti gjerman, duke iu drejtuar veçanërisht skandalit të javëve të fundit për ministrin e Brendshëm Xhafaj. Dhe të tjerë deputetë gjermanë kanë deklaruar ditët e fundit se po e ndjekin me vëmendje mënyrën se si do ta menaxhojë qeveria dhe sistemi i drejtësisë çështjen Agron-Fatmir Xhafaj.
Ndër të tjera, gjatë intervistës, Gunther Kirchbaum shprehu pakënaqësi dhe ndaj raportit të Komisionit Evropian që rekomandonte hapjen pa kushte të negociatave me Shqipërinë:
“Komisioni Evropian, i cili pretendon për fillimin e negociatave për anëtarësim është ‘nganjëherë shumë i besueshëm’.”
Të njëjtin qëndrim, deputeti gjerman, kishte dhe menjëherë pas marrjes së rekomandimeve pozitive për vendin tonë nga Komisioni Evropian në prill, kur deklaroi në një intervistë për Deutche Welle se “rekomandimi i Komisionit BE-së për hapjen e kapitujve të anëtarësimit, nuk është i mjaftueshëm” dhe se “korrupsioni dhe niveli i lartë i krimit të organizuar janë një problem”.