Monika Kryemadhi, kryetarja e LSI-së ju përgjigjë sulmeve të Kryeministrit Edi Rama ndaj LSI-së, sot, gjatë prezantimit të kandidatëve socialistë të Tiranës.
Kryemadhi u shpreh për median se Rama “turfullonte dhe shkumëzonte nga inati sepse përfaqësonte një listë humbëse dhe kishte përballë listën fituese”.
Ajo e quajti Ramën “balerin që vallëzonte i vetëm në bunkerin e tij dhe kishte marrë zanatin e belly dancer-it, që më 25 prill, as qafën nuk ka për të lëvizur dot, e jo më belin”.
“Do të mbahesh mend edhe si njeriu që shqiptarët e tërhoqën zvarrë pas 25 prillit. Me votë Edi Rama, se për gjërat e tjera s’ta bëjmë dot nderin që ti japim fund të menjëhershëm tmerrit që të pret”, ju drejtua Kryemadhi, Ramës.
Më pas ajo ironizoi kandidatët e PS-së duke i quajtur:
“Ogerta Manastirliun, të cilën e njoh shumë mirë, por që pseudonimin vetë Edi Rama ja ka vendosur luleshtrydhe dhe ai e di shumë mirë sesi e përdor luleshtrydhen.
Etilda Gjonaj, le të na shpjegojë lidhjet e saj me lojërat e fatit, edhe firmat e financuesve të bandave, të cilët i degdisi në Itali vetëm e vetëm që të mos merreshin në pyetje nga SPAK-u.
Evis Kushi po e çon arsimin shqiptar drejt tjetërsimit të gjuhës shqipe”.
Ndërsa për largimin e Fatmir Xhafajt, Kryemadhi u shpreh se “Rama nuk ka më asnjë socialist në listën e tij. Dhe ata pak që kishte, i sekterisi, i largoi, i përdori, i shfrytëzoi, i dhunoi i fyeu dhe më pas tha nuk ju dua”.
Ajo shtoi se Rama “ka frikë nga LSI sepse, LSI është “kundër oligarkëve, inceneratorëve, shpopullimit, varfërisë, e krimit”:
“Edi Rama krijon importin dhe hap hapësira pafund për oligarkët e tij që ti importojnë produktet nga jashtë dhe shkatërron dhe denigron fermerin shqiptar”.