Kryemadhi mohon se ka organizuar protestat për vdekjen e Klodianit

Nga Exit News
Kryemadhi mohon se ka organizuar protestat për vdekjen e Klodianit

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka mohuar se ka marrë pjesë në organizimin e protestave për vdekjen e Klodian Rashës.

Kryemadhi hodhi poshtë akuzat e mazhorancës por tha se do të ishte nder që të kishte organizuar protestat e pesë ditëve të fundit.

Absolutisht jo. Do të ishte nder për mua të isha organizatore e një proteste aq të sinqertë e atyre të rinjve, të rejave e atyre qytetarëve të Tiranës, por sigurisht që kompleksi dhe në një farë mënyre vetëpërmbajtja dhe autokontrolli politik i secilit nga ne ka bërë që me shpirt dhe zemër të ishim pjesë aty.”, tha ajo në një intervistë në ABC News.

Kryetarja e partisë së tretë më të madhe në vend akuzoi policinë për manipulim të provave dhe shtoi se kjo kishte nxitur agresivitetin në protesta.

“Për vrasjen e Klodian Rashës ne kemi nja katër deklarata nga Policia e Shtetit. Njëherë ka qëlluar me armë te ‘Zogu i Zi’, njëherë pastaj u gjet arma 80 metra larg. Pastaj është njeri me precedentë penalë dhe në fakt ndodhi diçka tjetër. Kur një polici e shtetit që ju pretendoni që të jenë ata të cilët do të çojnë faktet dhe provat për çdo qytetar që do të paraqitet nesër përpara drejtësisë, manipulon në mënyrë kaq flagrante, brenda 24 orëve, kjo nervozon jo vetëm njerëzit, por çdo njeri që ndjek një televizion, që ndjek një media, por edhe vetë gazetarët, pasi edhe gazetarët janë ata të parët që mendojnë që tjetër gjë na thatë në 8 të mëngjesit, tjetër gjë na thatë në 2 të drekës dhe tjetër gjë në 6 të pas drekës.”, deklaroi kryetarja e LSI-së.

Protestat për vrasjen e Klodian Rashës kanë nisur prej datës 9 dhjetor. Ato kanë patur tension dhe policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Sipas Avokatit të Popullit, 308 protestues janë shoqëruar, 117 prej të cilëve minorenë.

Kryeministri Rama ka akuzuar presidentin Meta dhe ish-kryeministrin Berisha si organizatorë dhe shfrytëzues të minorenëve për dhunën në protesta.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>