Teksa PD dhe PS kanë filluar fushatën në dy sheshet më të mëdha në kryeqytet, Lëvizja Socialiste për Integrim ka vazhduar me prezantimin e kandidatëve në qarqe.
Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi zhvilloi një takim elektoral në Divjakë për të prezantuar kandidatën për deputete të LSI, Seriola Janko.
Ajo tha se kjo zonë është lënë në harresë nga qeveria e se vuan nga mungesa e infrastrukturës.
“Divjaka ka nevojë për një mentalitet të ri që ka dëshirë për të bërë një plan zhvillimi për të ardhmen,” tha Kryemadhi.
Zona ka potencial zhvillimi në fushat e turizmit, bujqësisë, blegtorisë e peshkimit, shtoi ajo.
Disa nga problemet që kryetarja e LSI theksoi ishin mungesa e tapisë së tokës nga ana e pronarëve dhe abuzimi me fondet e investimeve.
“Shtrohen tre herë të njëjtat rrugë vetëm për të vjedhur fondet” u shpreh Kryemadhi.
Divjaka ka nevojë që të ketë të rinj dhe të reja që njerëzit të mos e shikojnë veten si tranzitorë, por të ndërtojnë të ardhmen aty, përfundoi ajo.