Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi akuzoi kryeministrin Edi Rama se nuk e mban fjalën dhe nuk punon për qytetarët.
Në një takim me gratë dhe vajzat e njësisë 5 në Tiranë, të martë, Kryemadhi i kërkoi të votojnë atë forcë politike, e cila “i qëndron pranë njerëzve, bën për ta, e mban fjalën dhe iu përgjigjet atyre, aq më tepër të rinjve dhe të rejave”.
Kryemadhi akuzoi qeverinë Rama se po vjedh “1,5 miliard euro nga buxheti i shtetit nga oligarkët, të cilët i fusin në xhepat e tyre”.
Shembull e kësaj vjedhje sipas Kryemadhit është “shembja e rrugës së atij oligarkut që e puthi në ballë, ai që ka marrë paratë pa fund dhe sot ku është? Sot i shemben rrugët dhe në rrugët që shemben, do të shembet edhe vetë Edi Rama me kështjellën e tij të Rilindjes”.
Kryemadhi u shpreh se LSI premton vetëm 5 pika të rëndësishme, “të cilat e kanë koston zero në buxhetin e shtetit”.
Ajo, gjithashtu u shpreh se qëllimi i LSI-së do të jetë formalizimi i ekonomisë dhe transparenca me taksat e qytetarëve:
“Sipas statistikave të raportit të CIA-s, është shumë e thjeshtë, 5 miliard është i gjithë GDP-ja e Shqipërisë, 50 për qind e të cilës është informalitet”.