Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi tha të martën se kryeministri Edi Rama nuk ka mbajtur asnjë premtim. Në dy mandate ai, tha Kryemadhi, nuk ka rritur rrogën për punëtorët e fasonerive, nuk ka ndihmuar fermerët.
“Le të ndihmojë mësuesit e shkollave shqiptare të cilët i ka kthyer në mercenarë politikë. Le të paguajë mjekët dhe infermierët që ka 1 vit që i gënjen për pagat e pandemisë dhe akoma nuk u ka dhënë pagën e muajit mars të vitit 2020 që të gjithë e mbani mend që tha do ti paguajmë mjekët dhe infermierët me nga njëmijë euro”, tha Kryemadhi gjatë një takimi elektoral të martën.
Ajo tha se ai nuk i ka hapur 300 mijë vendet e punës që premtoi. Nuk ka krijuar hapësira për të rinjtë.
“E pra të mbajë këto premtimet e vitit të fundit. Pastaj të mbajë premtimet për punëtorët nga Bangladeshi”, tha Kryemadhi.
Ajo tha se qeveria nuk i ka rritur pensionet por ka rritur çmimet e ilaçeve.
“Ne duhet të punojmë çdo ditë për të larguar Shqipërinë nga mashtrimet e Edi Ramës dhe ta çojmë të sigurt drejt Bashkimit Europian”, tha kryetarja e LSI.
Kryemadhi tha se Shqipëria ka shanse dhe mundësi për të qenë një vend dinjitoz si gjithë vendet e tjera.