Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi deklaroi, të martën, se zgjedhjet në LSI, megjithëse vetëm me një kandidat për kryetarë, Kryemadhin vetë, ndryshojnë nga zgjedhjet e 30 qershorit.
Pyetur nga gazetarët se cili është ndryshimi, Kryemadhi u shpreh:
“Ndryshimi i madh është se zgjedhjet e LSI-së më 21 nëntor u shpallën 4 muaj para që në gusht, për të pasur kandidat dhe për të garuar. E dyta, komisionerët nuk i ndërtoi Monika Kryemadhi, u ndërtuan në strukturat e partisë.
Në zgjedhjet e 30 qershorit komisionerët e PD-së dhe LSI, Edi Rama nuk i pranoi, që të shikonim sesa do të ishte pjesëmarrja e vërtetë.
Në zgjedhjet 21 nëntorit ne patëm 80 e ca përqind dhe pati dhe votim online dhe rezultati doli menjëherë. Ndërsa në votimet e 30 qershorit, pati një pjesëmarrje as 10% dhe pas një muaji, edhe pse filluan t’i ndryshonin dhe ti mbushnin kutitë, nuk i kalkulonin dot matematikisht.”
“Në një pushtet vendor kur t’i heq të drejtën e votimit më shumë së gjysmës së qytetarëve, ato nuk janë zgjedhje. Kur të jetë në pushtet LSI do të ketë nga 3 apo 4 kandidatë, mos u bëj merak,” shtoi Kryemadhi.
Ajo tha se pas zgjedhjeve të prillit, në LSI do të ketë sërish zgjedhje të brendshme sepse ‘duke qenë LSI do të në pushtet, mund t’ju lind dëshira dikujt nga këtu që të kandidonte’.