Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi kujtoi të enjten vendimin e opozitës për të djegur mandatet. Ajo tha se ishte një vendim i fortë, por që tregoi se LSI nuk është vetëm për karriget.
Ajo tha se ishte një ndër vendimet më të mira që ka bërë opozita.
“Ne sot e dimë shumë mirë, se djegia e mandateve ishte një ndër veprimet më të mira që ne bëmë. Treguam se kemi dinjitet dhe ngrihemi mbi çdo disfatë dhe treguam se nuk jemi partia e karrigeve. Djegia e mandateve pati një kosto të madhe për Shqipërinë dhe politikën.”, tha Kryemadhi.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve 10 ditë para zgjedhjeve që të votojnë numrin 6.
“9 ditë që do të jenë të forta, energjike, të cilat na çojnë drejt fitores. Me 25 prill, ju do të votoni numrin 6 dhe unë jam krenare që me qindra dhe mijëra të rinj e të reja, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë, dalin dhe më presin me makina dhe flamuj, pa pasur pikë presioni”, tha ajo.