Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti i ka kërkuar Komisionit të Venecias një opinion ligjor për kompetencat e Presidentit të Kosovës në shpërndarjen e Kuvendit dhe mandatimin e një kandidati nga partitë jo fituese për të formuar qeverinë e re.
Në një njoftim zyrtar, kryeministria shkruan se ky opinion do të kishte vlerë si në zgjidhjen e situatës aktuale por dhe për forcimin e demokracisë dhe të së drejtës kushtetuese.
Më 1 maj, Gjykata Kushtetuese në Kosovë pezulloi në mënyrë të përkohshme dekretin e Presidentit Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit si kandidati për kryeministër dhe formuesi i qeverisë së re.
Ky vendim është i përkohshëm deri në shqyrtimin e plotë të çështjes dhe marrjen e mendimit nga institucionet e Presidentit, qeverisë, parlamentit dhe Avokatit të Popullit.
Vendimi i GJK-së shmangu mbledhjen e parlamentit dhe votimin e qeverisë së re të koalicionit të Avdullah Hotit me Ramush Haradinajn, Behgjet Pacollin dhe Fatmir Limajn.
Albin Kurti do të vazhdojë të jetë kryeministër deri në momentin që do të ketë një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.