Kryeministri Rama bisedoi dje më mbrëmje me gazetarin Sokol Balla lidhur me fitoren e zgjedhjeve të 25 qershorit dhe qeverinë e ardhshme.
Disa nga deklaratat kryesore të Zotit Rama ishin:
Për Qeverinë Rama 2
“Nuk flas dot për emrat për kabinetin e ministrave, sepse nuk jemi në fazën e emrave. Kemi ngritur disa grupe, që po merren me aspekte të ndryshme, unë vetë po merrem personalisht me platformën e bashkëqeverisjes.”
“Ne do të bashkëpunojmë me të gjithë sepse për mua është mbi të gjitha e rëndësishme që të çojmë përpara një proces ku fiton Shqipëria, shqiptarët.”
“Besoj që sot janë kushtet që njerëzit të jenë shumë më pranë qeverisë dhe të jenë aktorë të drejtpërdrejtë në bashkëqeverisje.”
“Përsa më takon, ne do të kemi dorën e shtrirë të bashkëpunimit në mënyrë konstante dhe politika që do të bëjmë do të jetë politikë e punës.”
“Duhet të mobilizohemi fort për të pasur soliditet në 3 shtyllat që do të mbajmë: në grupin parlamentar, në qeveri dhe në parti dhe duhet të jemi bashkë me njerëzit.”
“Ne do të flasim me punë dhe kemi mundësi të bëjmë transformime shumë të rëndësishme, të sulmojmë edhe ata sektorë ku kemi qenë të kufizuar, jo vetëm për shkak të LSI-së.”
Për Presidentin e zgjedhur Ilir Meta
“Pavarësisht nga sjellja spektakolare zhgënjyese në fushatë, e Presidentit të zgjedhur, respekti për institucionin vjen i pari. Do të jemi aty [në Kuvend] më 24 korrik. Nuk e kam vënë ndonjëherë në pikëpyetje këtë temë.”
Për zgjedhjet brenda PD
“Është një fushatë brenda partisë dhe sigurisht që në atë fushatë, secili kërkon arsye për të kontrastuar me tjetrin, por unë besoj që nëse ka pasur një akt të duartrokitshëm për Shqipërinë, nga PD në 4 vite, ka qenë ajo marrëveshje [e 17-18 majit].”