Kryeministri Edi Rama do të ekspozojë në ekspozitën qendrore në Biennalen e 57-të të Venecias. Shfaqja ndërkombëtare e artit do të hapet më 13 maj dhe do të qendrojë e hapur deri më 26 nëntor. Shqipëria do të përfaqësohet nga artisti Leonard Qylafi në Pavijonin Kombëtar në Arsenale.
Kryeministri Rama dhe bashkëpunëtori i tij i zakonshëm Anri Sala do të jenë të vetmit artistë shqiptarë në ekspozitën qendrore, të kuruara nga Christine Macel. Macel dhe Sala janë edhe anëtarë të bordit të Qendrës për Hapje dhe Dialog, hapësira ekspozuese e hapur nga Rama në godinën e Kryeministrisë.
Tema e Biennales këtë vit do të jëtë “Viva Arte Viva”. Macel e përshkruan projektin si më poshtë:
Në një botë plot me konflikte dhe tërmete, në të cilën humanizmi seriozisht është në rrezik, arti është pjesa më me vlerë e qenies njerëzore. Është vendi ideal për refleksion, shprehje të vetvetes, liri dhe pyetje thelbësore. Është një “po” për jetën, megjithëse disa herë një “por” qendron pas saj. Më shumë se kurdo, roli, zëri dhe përgjegjësia e artistit është vendimtare në kontekstin e debatit modern.
Është ende e paqartë nëse Kryeministri Rama do të trajtojë “përgjegjëshmërinë e artistit” nëpërmjet letrës së murit me skica, qeramik, apo duke lyer një godinë me ngjyrën blu.