6 pyetje për Zharrëzën drejtuar Kryeministrit Rama

6 pyetje për Zharrëzën drejtuar Kryeministrit Rama

Dhjetëra banorë të fshatit Zharrëz, prej të shtunës po jetojnë në qiell të hapur përpara Ministrisë së Energjitikës. Ata, pas më shumë se 20 ditësh grevë urie dhe pas një marshimi 4 ditor më këmbë drejt Tiranës, kanë vendosur të mos largohen nga Tirana pa marrë drejtësi për kërkesat e tyre.

Prej vitesh, në fshatin Zharrëz shkaktohen lëkundje të forta të tokës nga metodat e kërkimit për naftë që përdor Bankers Petroelum,  kompania e cila që prej 2004-ës ka koncesionin për shfrytëzimin  e disa prej vend-burimeve kryesore të naftës në vend. Këto lëkundje kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në banesat e tyre dhe rrezikojnë çdo ditë jetën e banorëve.

Banorët e Zharrëzës janë munduar disa herë të tërheqin vemëndjen e qeverisë dhe instutioneve për dëmtimet në banesa dhe ndotjen e madhe që Bankers po shkakton në fshat.

Në vitin 2013, kur banorët e këtij fshati u përballën me tri lëkundje të forta sizmike me fuqi katër ballë, në shenjë proteste, bllokuan rrugën Fier-Berat dhe hynë në grevë urie derisa qeveria pezulloi aktivitetin e kompanisë, për pak kohë.

Më pas, në vitin 2015 qeveria pezulloi sërish aktivitetin e Bankers Petroleum sepse gjatë shpimit të një prej puseve të naftës u çlirua në ajër gaz i dioksididit të karbonit.

Qeveria i vendosi disa kushte kompanisë përpara se ajo të lejohej të fillonte punë. Ashtu si në 2013-ën, kompania filloi punë pak kohë më pas dhe problemet për banorët filluan sërish. Ende nuk janë bërë publike nëse kompania i ka plotësuar kushtet e vendosura nga qeveria.

dhjetor të 2016-ës, 10 banorë të fshatit Zharrëz të Mallakastër nisën një grevë urie. Në një video të transmetuar në rrjetet sociale, banorët u shprehën se kanë tre ditë që përjetojnë lëkundje të mëdha të tokës të shkaktuar nga shpimet e kompanisë së naftës.

Kësaj radhe ky lajm jo vetëm që nuk mori asnjë përgigje apo vëmendje nga institucionet dhe qeveria, por dhe u censurua nga media kryesore e vendit. Të vetmit mbështetës të banorëve të Zharrëzsë u bënë rrjetet sociale dhe disa protale online.

Edhe në grevën e dytë, nisur në shkurt 2017, të banorëve të Zharrëzës, jeta e së cilëve vazhdonte të rrezikohej, u censurua totalisht nga media tradicionale dhe nuk mori asnjë përgjigje apo vëmëndje deri sa grevistët, të detyruar nga indiferenca e shtetit, vendosën të vinin vetë në Tiranë.

Por kryeministri Rama duket se nuk mendon njësoj si banorët e Zharrëzës. Zoti Rama, që për gjatë gjithë këtyre muajve ka folur për zgjedhjet në Amerikë, për presidentin Trump, për problemet në Ballkan dhe për rrezikun e influencës ruse, pavarësisht se nuk i ka kushtuar asnjë status në Facebook banorëve të Zharrëzës (mjeti kryesor më të cilin kryeministri bisedon me qytetarët) pretendon se qeveria “është prej kohësh në krahun e banorëve të Zharrëzës”.

Kryeministri Rama, pasi refuzoi të takohej vetë me grevistët të shtunën, i foli atyre përmes monologut javor të së dielës, ku ndër të tjera tha:

“Banorët mendojnë se tronditjet vijnë për shkak të injektimit të ujit teknologjik në puset e naftës aty pranë.

Qeveria e ka dëgjuar problemin e tyre dhe ndaloi injektimet për disa nga puset. Tani presim konkluzionet përfundimtare të ekspertizë.

Qeveria po punon prej dy muajsh për evidentimin e dëmeve.

Atëherë ku është problemi dhe pse protesta e banorëve të Zharrëzës kulmoi së fundmi me një rrugëtim në këmbë nga Fieri në Tiranë, ndërkohë që qeveria është prej kohësh në krahun e tyre?!”

Pikërisht se ku është problemi duan të dinë dhe banorët e Zharrëzës.

Së pari, ata duan të dinë se ku është problemi që asnjë institucion shtetëror nuk i është përgjigjur, përveç të tjerash, grevës së tyre 20 ditore ku rrezikuan jetën dhjetëra banorë?

Si Kryeministri Rama apo të tjerë ministra, që dalin çdo ditë, 24 orë në ditë dhe flasin për çdo gjë të vogël që bëjnë apo nuk bëjnë, nuk gjetën një minutë kohë televizive për t’iu përgjigjur thirrjes së tyre për ndihmë, apo të paktën t’i kumtonin banorëve se qeveria “qenka në krahun e tyre”?

Si ka mundësi që kompania Bankers, edhe pasi i pezullohet aktiviteti, e fillon sërish atë pak ditë më vonë? A janë plotësuar kushtet që qeveria i vendosi kompanisë në vitin 2015, pas çlirimit në ajër të gazit të dioksidit të karbonit? Kjo nuk është mësuar ende!

Si ka mundësi që një grup ekspertësh të qeverisë, që po punokan prej dy muajsh, nuk paskan mundur të evidentojnë dëmet në 70 shtëpi në fshatin Zharrëz? Banorët, nëse qeveria nuk po arrin t’i evendentojë këto dëme, kanë vetë qindra foto e filmime, që mund t’i vënë në dispozicion.

Si ka mundësi që media tradicionale, ku kryeministri Rama zgjohet çdo mëngjes e mbyll ditën çdo darkë, nuk paska dëgjuar për atë që po ndodh në Zharrëz? Si ka mundësi që kameramanë e studio lëvizëse që ndjekin Kryeministrin Rama në gjithë Shqipërinë, nuk paskan mundur të kalojnë nga Zharrëza e të transmetojnë thirrjet e banorëve, grevën e tyre të urisë, dëshpërimin dhe përkeqësimin e gjendjes së tyre shëndetësore teksa tentonin të kapnin vëmendjen e institucioneve?

Dhe së fundi, banorët duan të dinë se si ka mundësi që Kryeministri Rama, që një vit më parë i bënte thirrje nga televizioni kompanisë Bankers të mos i trajtonte shqiptarët si “qenie të dorës së dytë”, sot e ka kyçur gojën përpara Bankers-it dhe po i trajton vetë shqiptarët si “qenie të dorës së dytë”?

 

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>