Kryeministri Rama: Qeveria Rama 2 do jetë miku më i madh i qytetarit – Pikat kryesore të intervistës

Kryeministri Rama: Qeveria Rama 2 do jetë miku më i madh i qytetarit – Pikat kryesore të intervistës

Kryeministri Edi Rama bisedoi dje në mbrëmje me gazetarin Sokol Balla në studion e Top Story. Biseda u përqëndrua në programin e Qeverisë Rama 2, ku ndër të tjera Kryeministri Rama premtoi se brenda katër vjetëve rritja ekonomike do të jetë më e lartë se 5 për qind.

Kryeministri Rama mohoi sërish se shqiptarët po kërkojnë azil në Evropë dhe premtoi se në fund të këtij viti Shqipëria do të jetë e pastër nga kanabisi.

Disa nga deklaratat kryesore të Kryeministrit Rama janë:

Premtime për katër vjeçarin e ardhshëm:

– Kemi tri fjalë për administratën dhe zyrat; pastrim, shërbim, ndëshkim! Pastrim i zyrave nga grabitqarët, shërbim për njerëzit nëpër zyra dhe ndëshkim për grabitqarët nëpër zyra.

– Ne duam ta bëjmë qeverinë mikun më të madh të qytetarit. Në të gjitha rastet, kur verifikohet që qytetari ka të drejtë, punonjësi përkatës ikën nga puna menjëherë.

– Ne kemi marrë një zotim dhe do ta mbajmë brenda këtij mandati që të kapërcejmë 5 për qind rritje ekonomike, që na jep mundësi që nga statistikë të kthehet në impakt real për çdo qytetar.

– Ekonomia rritet me investime të brendshme dhe të huaja.

– Do të nisim punën për një rimëkëmbje reale të infrastrukturës kombëtare.

– Akset kombëtare do të jenë prioritet dhe në katër vite do të shikojmë një ndryshim rrënjësor të rrugëve kombëtare.

– Do të shohim investime në turizëm. Të kapim turistët e luksit dhe për këtë kemi një plan të qartë .

– Na duhet të fuqizojmë bujqësinë duke mbështetur fuqimisht eksportin, që ka pësuar rritje, por ka një potencial edhe më të madh rritje.

– Kemi një volum të madh paraje në informalitet. Lufta do të fillojë dhe nga kjo luftë do të ketë të ardhura shtesë.

– Në fund të shtatorit besoj, do të bëjmë prezantimin e platformës së bashkëqeverisjes, që do të jetë një mekanizëm që do t’i vihet në dispozicion çdo shqiptari.

Për Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi:

– Gramozi ka në këtë Parlament që ditën e parë, njohje, lidhje, marrëdhënie dhe marrëdhëniet e Ruçit me përfaqësues të PD janë mëse të mira kur fiken dritat e ekranit. Ai është pika e referimit të PD historikisht kur vjen puna për të biseduar dhe nuk çuditem fare që aty të ketë vota njerëzish që kanë gjëra personale me të.

– Gramoz Ruçit i është refuzuar një vizë në vitin 2005 dhe më pak se dy muaj më pas i është dhënë viza për SHBA si i ftuar në kongresin e Partisë Republikane.

Për marrëveshjen e 17 majit me Lulzim Bashën:

– Marrëveshja nuk është marrëveshje, nuk ka qenë dhe nuk duhet të jetë marrëveshje mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës.

– Marrëveshja i duhet këtij vendi për të hyrë me një shpejtësi të re në raport me ambiciet dhe nevojat që kanë njerëzit e këtij vendi. Është një marrëveshje, ku të gjitha palët vetëm fitojnë dhe asnjë palë nuk humbet.

Për Presidentin Ilir Meta:

– Nuk i druhem fare të ardhmes në aspektin e rolit të Metës, sepse duke e njohur ja di edhe dallgën që e çon në fatkeqësi, ja di edhe sensin e përgjegjshmërisë për të kryer detyrën.

– Besoj që do të jetë si President shumë më i mirë si kryetar Kuvendi, që ka vetëm një meritë që i dha liderit legjendar mundësinë që të flasë në katër vjet, aq sa do t’i ishin dashur me një kryetar Kuvendi si Gramozi për 40 vjet.

Për luftën ndaj kanabisit:

– Nuk kam një “mea culpa” dhe nuk kam bërë një “mea culpa”. Unë thjesht kam njohur kontributin e opozitës, sepse ka ndikuar që të motivohemi më shumë përballë këtij fenomeni.

– Në fund të këtij sezoni korrjesh, shirjesh a si quhet, ne do të marrim një certifikatë pastërtie nga partnerët ndërkombëtarë.

Për largimin e shqiptarëve nga Shqipëria:

– Shqiptarët nuk janë azilkërkues, janë emigrantë që kërkojnë punë. Shqiptarët janë europianë që shkojnë në Europë për punë, njësoj siç shkojnë polakë, bullgarë etj, etj. Nuk ka shans që shqiptarët të marrin azilin në vendet e BE-së.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>